Samadrexha vazhdon me fitore, mposht edhe Istogun
Samadrexha vazhdon me bilanc maksimal në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të dielën, në derbin e xhiros së 15-të, Samadrexha fitoi në Banjë ndaj Istogut me rezultat 29:25.
Në pjesën e parë në epërsi ishin kryesisht vendaset, kurse mysafiret prej minutës së 37-të e deri në minutën e 40-të realizuan seri 5:0, që bëri dallimin. Pas epërsisë 22:17 të Samadrexhës, Istogu nuk ia doli të barazojë më. U afrua në 27:25, por jo edhe më shumë.
Vitoria Oliveira udhëhoqi Samadrexhën me 10 gola. Nëntë i realizoi Tina Hetemi.
Yasmin Barbosa me gjashtë gola ishte më efikasja tek Istogu. Joneide Olikaka dhe Destinee Benie i shënuan nga pesë.
Samadrexha i ka 13 fitore rresht dhe udhëheqë në tabelë me 26 pikë. Istogu është i katërti me 17 pikë.
Të dielën u luajtën edhe dy ndeshje të tjera. Ferizaj fitoi 53:37 ndaj Ulpianës, kurse Shqiponja e mposhti Terezën me 37:24.
Elsa Kongjeli i realizoi 14 gola për Ferizajn, kurse Mirjeta Dinolli dhjetë. Dorentina Qufaj (16) dhe Elisa Krasniqi (12) i shënuan shumicën e golave për Ulpianën.
Shqiponjën drejt fitores e udhëhoqën Ana Carolini Gonçalves me 10 gola dhe Alma Nivokazi me nëntë.
Kaltrina Paci, Arjeta Imeraj dhe Bleona Hashani i shënuan nga shtatë gola për Terezën.
Shqiponja është e dyta me 22 pikë, derisa Ferizaj i treti me 20.
Tereza renditet e gjashta me 12 pikë, derisa Ulpiana është e shtata me tri.
