Fillon panairi i 17-të i librit në Prizren
Panairi i Librit në Prizren, i cili këtë vit po organizohet për herë të 17-të nga Instituti për Kulturë dhe Kërkime Sociale – IKKS, ka hapur dyert për adhuruesit e librit.
Në hapësirën e panairit të ngritur në sheshin e Lidhjes së Prizrenit, kanë vendosur stendat e tyre 25 shtëpi botuese. Panairi do të jetë i hapur për publikun për pesë ditë rresht dhe do të sjellë për lexuesit një numër të madh librash të botuar në gjuhët shqipe, turke, angleze dhe boshnjake.
Në kuadër të aktivitetit, çdo mbrëmje do të organizohet një konferencë me pjesëmarrjen e një autori, i cili do të takohet me lexuesit. Organizimi synon të kontribuojë në promovimin e krijimtarisë letrare vendore dhe rajonale.
