Fillon aplikimi për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Mitrovicën e Veriut
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se ka filluar zyrtarisht procesi i aplikimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje duke u fokusuar në ndërtimet që hyjnë në kategorinë I dhe II, sipas legjislacionit në fuqi.
Sipas njoftimit, Komuna është institucioni kompetent për pranimin dhe trajtimin e aplikimeve, dhe qytetarët që posedojnë ndërtime të kësaj natyre ftohen që të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm brenda afateve të përcaktuara.
“Ftohen të gjithë qytetarët që kanë ndërtime pa leje të kategorisë I dhe II të paraqesin aplikimin e tyre brenda afateve ligjore,” thuhet në njoftim.
Për informata më të detajuara lidhur me procedurën, dokumentacionin e nevojshëm apo afatet kohore, qytetarët mund t’i referohen linqeve zyrtare të publikuara në faqen zyrtare të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Ky proces përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rregullimit urban dhe ndërtimit të qëndrueshëm në komunë duke u mundësuar qytetarëve që të formalizojnë pronësinë dhe të kontribuojnë në zhvillimin ligjor të hapësirës urbane. /Kosoova.info/
