Filarmonia e Kosovës me koncert festiv për 17-vjetorin e Pavarësisë

Filarmonia e Kosovës ka njoftuar se do të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, i cili organizohet në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.

Koncerti do të nisë me veprën ‘Suita ilire’ nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së  kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: ‘Fantazi për piano’ nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike ‘Mizer‘ ‘Reçak’ nga Librun Jupolli dhe kantata  ‘I miri i motrës’ nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano), thuhet në njoftimin e Filarmonisë.

Numri i ulëseve është i kufizuar, prandaj institucioni i Filarmonisë ka bërë ftesë që të rezervohen  vendet.

Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen  në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00.

Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen  për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovë.


Go to TOP