Fermerët dhe “Vita” me konferencë para AUV-it: Nxirrni rezultatet 

Shoqata e Fermerëve dhe kompania e prodhimit të produkteve të qumështit “Vita”, kanë mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën i kanë bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), që të publikojnë rezultatet e analizave për të cila ka më shumë se dy javë që janë marrë mostrat.

Përfaqësuesit e kompanisë Vita thanë se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, u kishte premtuar se rezultatet e analizave do të bëheshin publike më së voni deri më 10 korrik.

Megjithatë, sipas tyre, pavarësisht këtij premtimi, deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe rezultatet ende nuk janë publikuar.

Ata kërkuan transparencë nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se publikimi i rezultateve është në interes të konsumatorëve, fermerëve dhe të gjithë sektorit të prodhimit vendor.

Elvir Uka, përfaqësues i fermerëve, tha se nuk janë duke kërkuar asgjë, pos asaj që janë dakorduar me Ministrinë e Bujqësisë.

“Sot jemi mbledhur këtu para AVUK-ut që të prezantojmë kërkesat tona që jemi marrë vesh mes Ministrisë së Bujqësisë, AVUK-ut dhe qumështorëve të Vita-s. Pra, i  kemi të bëjmë me disa pika siç jemi dakorduar në takimin e fundit, jemi zotuar të bëjmë grumbullimin e qumështit. Ne kemi marrë deklaracion se rezultatet e mostrave të marra me datë 2 korrik 2026 të qumështit Vita, me vendim të posaçëm të 2 korrikut 2026, në numër… që janë në numër të konsiderueshëm të inspektorëve të dërguar në qumështore së shpejti dhe pastaj do t’i bllokojmë… publikojmë edhe ne. Produktet që importohen, rezultatet, analizat të dalin brenda ditës, maksimumi mbas dy ditëve. Pse kjo pasiguri ndaj produkteve vendore? Ne si shoqatë jemi zotuar te Vita, se ministria shumë shpejt do t’i publikojë rezultatet por nuk ka asgjë konkrete deri më tani. Ju lutem që rezultatet e mostrave të 2 korrikut 2026 të qumështit Vita, me vendim të posaçëm, t’i dërgohen qumështores Vita menjëherë, në mënyrë që të përmirësojë imazhin e qumështit Vita, në mënyrë që automatikisht të mos ketë probleme me grumbullimin e qumështit në ditët në vijim, për shkak të stoqeve të krijuara në qumështoren Vita. Pra, urgjentisht të merren masa në kontrollin… në kontrollin e produkteve të importuara të dyshimta që po shiten në raftet tona me çmime shumë të ulëta, në mënyrë që sa më shpejt qumështoret tona të rrisin grumbullimin e qumështit. Edhe me shumë mirësjellje, edhe një herë po ju lusim publikisht të gjithë aktorët, nuk jemi duke kërkuar diçka të paarritshme, po kërkojmë vetëm publikimin e rezultateve që jemi të sigurtë që deri më tani janë realizuar. Po të publikohet rezultati i analizës së marrë më 2.07.2026 sa më shpejt”, tha ai.

Kurse, Kushtrim Tigani përfaqësues nga qumështorja “Vita” tha se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja në takim u ka thënë se rezultatet do t’i pranojnë më datë 10 korrik dhe të njëjtat do t’i publikojë në konferencë pas tre ose katër ditësh.

“Pas shumë përpjekjeve të kontaktojmë më kryeshefin e e AUV-it, dhe ministrin Muja nuk kemi marrë përgjigje, i kemi emailet që i kemi dërguar për takim, nuk na kanë pranuar për takim. Pastaj kemi qenë të detyruar të dalim dhe të flasim vetëm të vërtetën. Unë si përfaqësues i Vitas dhe përfaqësuesit e fermerëve jemi dakorduar që qumështin të fillojmë dhë ta marrim qumështin prej fermerëve. Le t’i publikojnë rezulatet, rezultatet më tha ministri do më vijnë mua më datën 10, dhe unë jam i obliguar që t’ua dërgoi juve si qumështore, ndërsa për konferencë për shtyp deri sa të i përpunojë rezultatet më duhen 3-4 ditë kohë dhe dal edhe unë me rezultatet e juaja”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i Shoqatës së Fermerëve të Qumështit, Fidan Krasniqi u shpreh se nuk duan të ndërhyjnë në proces, por vetëm duan publikim të rezultateve.

“Ministri na e ka dërgu një përgjigje të jemi më konkretë në datën 27 korrik do të publikohet raporti, në rregull ne nuk po duam të marrim absolut me i ndërhyrë procesit. Ne e përkrahim çdo proces në favor të prodhimit vendor, mirëpo këtu në këtë rast po kërkojmë një rezultat të një qumështi që është marrë i vetëm, nuk po kërkojmë që të ndërhyrjmë në raportin i cili do të përpilohet nga ministri dhe do të përpilohet me gjasë deri më datë 27 korrik. Ne po kërkojmë vetëm se rezultatet e datës 2 korrik që janë marrë në qumështore, që neve na thotë kompania kinse me pretendime se ka përbërjë të vajit të palmës dhe qumështit pluhu, këtë po kërkojmë. Të krijojmë një qartësi në konsumatorë dhe një siguri tek fermerët, kemi edhe në mesin e fermerëve që është krijuar në hamulli, çka paska ndodhë? Pse janë kriju gjithë këto analiza?”, tha Krasniqi.

Go to TOP