Fatmira Hajdari: Sa herë Rugova vinte në Shqipëri, e dija që Azemi nuk do të vinte në shtëpi 

Bashkëshortja e Azem Hajdarit, Fatmira Hajdari në një rrëfim të rrallë ku shpalosi detaje nga jeta dhe vepra e familjes së saj, në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në KlanKosova foli edhe për lidhjet e ngushta që i kishte Azemi me presidentin Rugova.

Ajo tha se të dy kishin lidhje shumë të ngushtë me njëri-tjetrin ku bashkëpunimi i tyre nuk mungonte asnjëherë.

“Në qoftë se Azemi ka pasur idhull dikë, e ka pasur Rugovën. ‘Kur vjen presidenti im, unë dua ta shoqëroj ato orë ose ato ditë që ai rri në Shqipëri’, thoshte Azemi. Azemi sa herë nisej Rugova, dilte në kufi ta priste dhe kalonte net të tëra ose orë të tëra te vilat në Durrës, ku flinte Rugova”, tha ajo.

Fatmira tregoi se kur Rugova ishte në Shqipëri, ajo e dinte se Azemi nuk do të vinte në shtëpi, por do të qëndronte krah Rugovës.

Po ashtu, ajo shtoi se familja e saj falë kësaj lidhje të ngushtë të kryefamiljarit të tyre me Rugovën, i shtyu që edhe ata ta donin si pjesë të familjes këtë të fundit.

“Fëmijët e mi edhe sot nuk e heqin nga mendja. Ishte diçka shpirtërore apo gjaku nuk e di, por ne kishim një lidhje të paparë, nuk mund ta përcaktoj”, u shpreh ajo.

Go to TOP