Fatmir Limaj për Kusari-Lilën: Është një ‘Gërvish dhe Fito’, Kosova po drejtohet nga hipokritë e mashtrues
Të hënë në media janë publikuar disa përgjime të shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Këto inçizime të cilat i publikoi Gazeta Nacionale thuhet se u bënë në qershor të vitit të kaluar.
Simiq gjatë bisedës ia përmend Kusari-Lilës një komunikim që kjo e fundit e ka zhvilluar me Milan Radojiçiqin.
Për publikim e këtyre përgjimeve ka pasur reagime të shumta të partive opozitare.
Kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj ka folur në një intervistë për Front Online lidhur me këtë çështje.
Limaj thotë se kjo e dëshmon se Kosova udhëhiqet nga hipokritë e mashtrues.
Ai tha se nuk është befasuar aspak nga përgjimet e publikuara.
Limaj është tallur me Kusari-Lilën duke e quajtur ‘gërvish dhe fito’
Ai ka pasur kritika edhe për qeveritarët në pushtet, duke thënë se kur Kosova ka pasur nevojë ata kanë ikur.
“Asgjë për mua s’është ajo, mos bëni hajgare a e dini ju çfarë modeli janë këta njerëz që nuk kanë bërë kurrë asgjë për këtë vend e na shitën patriot po çfarë kanë dashtë me dhënë një kontribut për Kosovën kanë ikur këta janë njerëz me dy, tre pasaporta në xhep, çka prisni prej këtyre njerëzve pash besën, ju keni mendu që këta janë kaq patriot e të vendosur kur ka pasur nevojë ky vend këta kanë ikë krejt kurrkund nuk kanë qenë por disa prej tyre, familjarët e tyre kanë qenë në role të këqija në raport me lirinë e Kosovës e raport të keq me vendin e tyre”.
“Kjo e dëshmon hipokrizinë atë raportin me të vërtetën me vendin ku s’kanë raport të vërtetë me vendin e tyre të sinqertë, s’jam i befasuar pse duhet t’i besojmë për çfarë kredibiliteti të politikani po flasim kjo është një gërvish-fito, kjo tregon që Kosova sot si asnjëherë më parë drejtohet nga hipokritë, oportunistë e mashtrues”, u shpreh Limaj.
Limaj për përgjimet e publikuara: Hipokrizi- Qeveria e shpalli Listën Serbe parti terroriste, e në zyre diçka tjetër
Pas publikimit të përgjimeve, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se kryeministri Kurti nuk ka qenë në dijeni për bisedën me Milan Radojiçiqin.
Për këtë ka folur për Front Online kreu i NISMA-së, Fatmir Limaj.
Limaj thotë se kjo është hipokrizi se në publik Listën Serbe e kanë shpallur parti terroriste.
Ai ka folur edhe për takimin që ka pasur Ramush Haradinaj me Milan Radojiçiqin.
Limaj tha se Haradinaj është takuar hapur me kamerë e të sinqertë.
“Nuk dua as të merrem me të. Besoj ju e dini këtë punë. S`ka nevojë me prit që ata me thanë diçka ndryshe. Deri dje, pardje, kanë thanë se nuk kanë pas komunikim kurrë. Kanë sharë njerëz poshtë e përpjetë që kanë qenë transparentë. Si takimi i Ramushit. Mundet me qenë i gabuar, por i sinqertë, i hapur. Mundesh me ta gjykosh, kritikosh, dallon raporti, për shembull Ramushi e ka pas takimin në zyre me Rajodiqin, kamerat kanë qenë aty. Listën Serbe e kanë shpall parti terroriste, fashiste, eksponentë të VV-së. Këtu qëndron hipokrizia, në publik diçka tjetër, në zyre tjetër”, thotë Limaj.
Fatmir Limaj: Ministrja Gërvalla e ka shkatërruar atë që ka qenë e ndërtuar, Kosova nuk ka diplomaci
Të shtunën ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Bashkimi Evropian është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-në.
Këtë deklaratë e ka komentuar për Front Online, kreu i NISMA-së, Fatmir Limaj.
Limaj tha se Gërvalla e ka shkatërruar atë që ka qenë e ndërtuar.
Sipas tij, ministrja e Jashtme nuk njihet askund.
Ai pushtetarët i ka quajtur rebelë të cilët po eksperimentojnë me shtetin e Kosovës.
“Kosova e di se nuk ka Ministri të Jashtme. Për mua nuk ka ministri të jashtme. Nuk kemi normalitet tash e sa kohë, një ministre e cila nuk njihet askund, s`ka asnjë veprim, angazhim. Ka shkatërruar atë që ka qenë e ndërtuar në diplomaci, komunikim të brendshëm me ambasadat tona, mosdhënien e orientimeve të ambasadave për detyrat që i kanë atje, rrënimin dhe prishjen e marrëdhënieve. Nuk ka as përpjekje për njohje të reja. Kosova nuk ka diplomaci. Ministrja, ajo që thash më herët, ne po testojmë. Kemi sjell njerëz me e provuar shtetin, por po e provojmë në kurrizin tonë. Janë ardhë disa rebelë që po eksperimentojnë me shtetin e Kosovës”.
Limaj: Qeveria duke manipuluar opinionin me përralla patriotike ka shkaktuar dëm të madh në veri
Kreu i Nisma Social Demokrate, Fatmir Limaj ka folur për Front Online lidhur me zhvillimet në veri të vendit.
Limaj ka thënë se situatë në veri të Kosovës është në kaos.
Ai thotë se në veri mungojnë mekanizmat e institucioneve shtetërore.
“Që nga fillimi i qasjes e kësaj Qeverie ka qenë gabim, nevoja për të treguar një lloj patriotizmi apo vendosmërie me gjëra të imta ka sjellur një pjesë të Kosovës nga procesi i integrimit një situatë të çështjes së sigurisë. Duke u thirrur Qeveria në Prishtinë për shtrirjen e sovranitetit dhe të ligjshmërisë në atë pjesë të vendit e ka humbur sovranitetin e ligjshmërinë tani një pjesë e Kosovës është në kaos, mungojnë gjithë mekanizmat e institucioneve shtetërore nga administrata e deri tek gjykata atje njerëzit nuk mund ta kenë asnjë drejtë civile”, thotë Limaj.
Limaj thotë se ashtu siç ka dashur ta sheh Vuçiq Kosovën ashtu është bërë.
Ai tha se në veri është shkaktuar një dëm i madh nga Qeveria duke manipuluar opinionin me përralla patriotike.
“Kjo është ajo që ka dashur Vuciq ta sheh ku Kosova si shtet i ri nuk ka aftësi dhe nuk mund të qeverisë me një pjesë të territorit të vetë dhe prandaj është ajo situatë alarmante që sot alarmohet edhe nga Bota njerëzit në Prishtinë nuk kanë dashur as ta kuptojnë atë gjendje atje, këta vazhdojnë edhe të manipulojnë opinionin publik duke i shitur përralla patriotike duke tentuar përmes politikave populiste që janë atraktive e të këndshme për të dëgjuar por janë shumë shkurtëpamëse atje është shkaktuar një dëm i madh por sa është dëmi do ta shohim rrugës, Kosova e ka shumë të vështirë me riparu atë dëme”, theksoi Limaj.
Limaj: Masat e BE-së janë të padrejta për Kosovën, veprimet e Kurtit skandaloze
Kosovës, javë më parë i janë vendosur sanksione nga BE-ja për mos shtensionimin e situatës në veri.
Për këto sanksione, ka folur për Front Online, kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj.
Ai ka thënë se Kurti po i prish marrëdhëniet me aleatët pa asnjë akuzë.
“Nuk e kuptoj Qeverisë e as kryeministrin që e ka bërë gjithë këtë dramë deri më tani në të gjitha drejtimet sikur të dilte të thoshte se kjo po ndodh për njohje të Kosovës nga Serbia në emër të ç’kafit kryeministri po i prish krejt këto marrëdhënie duke vurë vendit në temë qendrore të diskutimit dhe duke vurë gishtin nga Kosova për çka cila është akuza, për tabela, për vendosjen e tre kryetarëve a janë apo s’janë në zyre, për do zgjedhje të cilat një javë pasi i mbajti hoqi dorë prej tyre dhe dul i gatshëm të shkojë në zgjedhje të reja, pse krejt këtë goditje me marr Kosova. Nuk është problemi tek masat të cilat janë të padrejta por për mua është e rëndësishme se në emër të ç’kafit po i marrim këto shuplaka”, thotë Limaj.
I pari i NISMA-së tha se masat e BE-së për Kosovën janë të padrejta.
Ai thotë se veprimet e Kurtit janë skandaloze dhe të mbrapshta.
“Kurti e pranoj marrëveshjen katastrofale në Bruksel edhe në Ohër e pranoj planin tjetër, për ditë thotë hajde me realizu marrëveshjen aty kryeministri i Kosovës me qenë i drejtë dhe mos me pranu marrëveshjen nëse nuk e ka njohjen brenda e jo futëm sanksione, çështjen e integrimit e shkatërron asnjë institucion në veri disa kryetar të komunave i ke zgjedh e ke bë hajgare me ta, po shkon përsëri në zgjedhje kjo është krejt lojë e mbrapshtë kjo është skandaloze fatkeqësisht një pjesë e madhe ktu i duartrokasin këtyre veprimeve popullsite mashtruese”, tha Limaj për Front Online.
Kreu i NISMA-së: Vjosa Osmani e Glauk Konjufca janë baterista e kukulla të Albin Kurtit
Për qëndrimet rreth situatës në veri të presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe kyeparlametarit, Glauk Konjufca, kreu i NISM-së, Fatmir Limaj ka hedhur akuza.
Ai ka thënë për Front Online se Osmani e Konjufca janë baterista e kukulla të Kurtit.
Limaj thotë se këta të dy nuk janë aspak të sinqertë me vendin e tyre.
“Qysh me i marr ata dy njerëz seriozisht, baterista e kukulla të Kurtit ata janë më shumë fajtor për mënyrën se qysh qasjen e kanë dhe do taktizime që i bëjnë. Unë i vlerësoj njerëzit se si e kanë raportin me të vërtetën e tyre në këtë rast drejtuesit në raport me relacionin me vendin e tyre se kanë aspak të sinqerisht raportin me vendin asnjëri dhe kjo është e keqe”, thotë Limaj.
Limaj tregon se a do të aderojë në PDK, tregon edhe për çfarë opozite ka nevojë Kosova
Kryetari i partisë Nisma Social Demokrate, Fatmir Limaj në një intervistë për Front Online ka folur lidhur me aludimet në media për aderimin e tij në PDK.
Limaj e ka mohuar këtë gjë duke thënë se nuk do të aderojë tek asnjë parti.
Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një zë të madh opozitar.
Limaj ka folur më shumë lidhur me idenë e frontit demokratik.
“Siç e dini tash e dy vjet e kam nxjerr idenë e frontit demokratik, duke pa zhvillimet, nuhatur çfarë orientimi po shkon vendi, duke para të përhumbur dhe indiferente opozitën, në atë kohë kam ngritur idenë e frontit të përbashkët, bashkimi i të gjithë zërave opozitarë, jo thjesht se janë kundër kryeministrit, zëra të cilët besojnë që ky kurs është i gabuar dhe bashkohen për t`i dhënë një kurs të ri Kosovës. Edhe sot jam ithtar i këtij fronti. Ky është roli dhe angazhimi im. Jo anëtarësime, aderime, ç`antarësime. Kosova ka nevojë për një zë të madh opozitar”, shtoi Limaj.
Fatmir Limaj: Kosova ka nevojë që sa më shpejt ta dërgojë mentalitetin e Qeverisë Kurti në shtëpi
Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të hënën shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Por a është e gatshme për zgjedhje të reja Nisma Social Demokrate, flet për Front Online kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj.
Limaj ka thënë se nuk është e rëndësishme gatishmëria e NISMA-së se sa nevoja e zgjedhjeve për Kosovën.
Ai thotë se alternativat për partitë që t’i fitojnë zgjedhjet janë të pakta.
“Nuk është me rëndësi sa jemi të gatshëm, por sa ka Kosova nevojë. Kosova ka nevojë për zgjedhje. Kosova ka nevojë, kjo politikë me shkuar. Kosova ka nevojë, çfarë politike po i jep, kujt po ja jep besimin. S`jam me u ndërruar sa për t`u ndërruar. Fatkeqësisht alternativat janë të pakta, një opozitë e çakorduar”, theksoi Limaj.
Limaj thotë se Kosova ka nevojë sa më shpejt ta dërgojë mentalitetin e Qeverisë Kurti në shtëpi.
Ai tha se ky është momenti i fundit që qytetarët të nxjerrin më të mirën e vendit, pa inate e mllefe.
“Njerëzit më në fund të fillojnë të rreshtohen në një alternativë të sigurtë, të pjekur, të sprovuar që i sanon dëmet e krijuara. Kosova për që ka nevojë sa më shpejt këtë mentalitet politik me dërguar në shpi s`ka asnjë dilemë. Shpresoj që qytetarët duke i lënë inatet, tifot, nuk kemi betejë kush kënd po e mund. Duhet të bëjmë betejë si me nxjerr më të mirën për vendin tonë. Momenti i fundit që qytetarët, pa inati, pa mllefe, me e nis me bo një rreshtim të duhur për vendin”, përfundoi Limaj.
Sipas Limajt, asnjë parti nuk duhet t’i fitojë në zgjedhje 51%.
Ai thotë se duhet koalicione në parti ani pse janë të vështira krijojnë siguri.
“Jo, VV, por asnjë parti nuk duhet t`i fitojë 51 %, duhet bashkëpunime, koalicione, koalicionet janë të vështira, por krijojnë siguri, bashkëjetojnë, nuk e lënë njëra-tjetrën me gabuar. Nuk shoh, besoj qytetarët e kanë parë, që është e gabueshme t`i fitojë dikush 51 %. Nuk pres që asnjë partie politike të jetë në një nivel të tillë, u shpreh Limaj.
Dy vite më parë, 14 shkurti nxori LVV-në fituese të zgjedhjeve me rezultat të thellë përballë partive të tjera.
Pas numërimit të votave, u konfirmua ajo që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, një parti politike, e vetme kishte marrë mbi 50% të votave.
Ky rezultat i mundësoi Vetëvendosjes që ta krijonte e vetme kabinetin e ardhshëm qeveritar. Në bazë të rezultateve të KQZ-së, LVV-së kishte marrë besimin e 50.28% të qytetarëve që kishin dalë në zgjedhje.
