Fatmir Halimi (1972–2025): Shkrimtar, studiues, mësues dhe mik i paharruar

Shkruan: Dan IBRAHIMI

Ka njerëz që, kur ikin, lënë një boshllëk që nuk mbushet kurrë. Një prej tyre ishte Fatmir Halimi, shkrimtar, studiues, poet, pedagog, publicist dhe, mbi të gjitha, njeri i afërt e i thjeshtë.

Ai nuk ishte vetëm një emër librash; ishte një zë që pasuronte çdo bisedë, një qytetar që e kuptonte kulturën si shërbim dhe përgjegjësi. Poezia e tij e hershme “Kornizat e burgut” shpalli një zë që nuk do të heshtte kurrë. Romanet si “Dy vdekjet e një jete” dhe “Makthi”, po ashtu si studimet mbi letërsinë shqipe, dëshmuan një autor që depërtonte në thellësi të shpirtit njerëzor dhe një mendje që shihte përtej kohës së vet.

Si themelues i ProkultPress, Fatmiri u bë krah për autorë të rinj dhe dritare për shumë libra që ndryshe do të kishin mbetur në sirtar. Në Besianë (Podujevë), qytetin ku jetoi e krijoi, ai la gjurmë të pashlyeshme me Festivalin e Letërsisë dhe Panairin e Librit, sepse besonte se kultura nuk është vetëm për elitën, por për të gjithë, për qytetarin e zakonshëm, për nxënësin dhe lexuesin.

Edhe si pedagog mbeti i paharruar: nuk jepte vetëm dije, por edhe frymëzim. Ishte nga ata mësues që të mësonin përtej teksteve, që të bënin të ndiheshe i rëndësishëm dhe i vlerësuar nga një bisedë e shkurtër jashtë auditoreve, deri te dialogu më i gjatë mbi letërsinë dhe jetën.

Ikja e tij është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen dhe miqtë, por edhe për botën letrare dhe kulturore. Megjithatë, Fatmiri nuk ikën krejt. Ai mbetet në librat që shkroi dhe botoi, në nxënësit që formoi, në festivalet që nisi, në bisedat dhe kujtimet që la pas.

Dikush ka thënë se shkrimtarët nuk vdesin, sepse jetojnë në fjalët që lënë pas. Kjo nuk është thjesht një thënie, por e vërteta për Fatmir Halimin, të cilin do ta kujtojmë sa herë që hapim librat e tij ose flasim për veprën e tij.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për të!


Go to TOP