Fakulteti i Arteve mbështet idenë që lulëkuqja të bëhet simbol i gjenocidit në Kosovë

Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës e ka mbështetur idenë që lulëkuqja të bëhet simbol për gjenocidin që shteti i Serbisë e ka kryer në Kosovë.

Sipas profesorëve të këtij fakulteti, lulëkuqja është gjetje adekuate, që identifikon origjinalitetin, autenticitetin, por edhe shpreh simbolikën e ngjyrave.

“Profesorët e poshtëshënuar, të këtij fakulteti, e mbështesin, pa rezervë, idenë e propozuar që dizajnimi, përkatësisht logoja e Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, të miratohet në instancat kompetente dhe të shndërrohet në simbolin zyrtar, përkatësisht në shenjën identifikuese për kujtimin e gjenocidit në Kosovë”.

Fakulteti i Arteve vlerëson se logoja, pra simboli i propozuar nga kjo qendër, është ideuar, konceptuar dhe e mirë realizuar, në të gjitha aspektet e saj përmbajtësore, formale, artistike dhe estetike.

“Prandaj, në gjykimin dhe bindjen tonë të thellë, si i tillë, ky simbol i plotëson të gjitha kushtet profesionale, të domosdoshme, për të qenë një simbol unik, zyrtar dhe identifikues për kujtimin e gjenocidit, që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit”.

“Nga pikëpamja kuptimore, Lulëkuqja është gjetje adekuate, që identifikon origjinalitetin, autenticitetin, por edhe shpreh simbolikën e ngjyrave. Ndërsa, nga pikëpamja artistike, vlerësojmë se Lulëkuqja është rimodeluar me gjetje, ide e invencion artistik, çka e bën këtë propozim të veçantë edhe unik në raport me simbolikën dhe mesazhin që përçon propozimi”.

Sipas këtij fakulteti, Kosova dhe shqiptarët, në përgjithësi kanë nevojë për një simbol të veçantë, që shpreh më së miri dhimbjen e pafund për tragjeditë, për dhunën, mizoritë e përjetuara, por edhe ndjenjën e përkujtimit, respektit dhe nderimit, për të gjitha viktimat e gjenocidit në Kosovë.

“Prandaj vlerësojmë se ky propozim, më së miri, i plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë simboli zyrtar i përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Kosovë”.

“Ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë dhe e më e duhur është që të kujtojmë për të mos harruar, prandaj, ky simbol na duhet që të përkujtojmë vazhdimisht, e të mos harrojmë asnjëherë”.

Go to TOP