Boshnjaku për ‘Akordet e Kosovës’: Po sjellim ngjarje që respekton historinë

Si përpjekje e bashkëdyzimit të namit të vjetër historik dhe sjelljes së vlerave moderne muzikore, “Akordet e Kosovës 2026” çdo ditë është më afër të bërit realitet.

Drejtori artistik i “Akordeve të Kosovës 2026”, Florent Boshnjaku, në një intervistë dha detaje nga ngjarja që do të mbahet më  29, 30 dhe 31 tetor në Prishtinë.

“Këtë vit kemi vendosur ta rikthejmë emrin e një festivali që ka peshë të jashtëzakonshme historike. Është nder i veçantë të jem në cilësinë e drejtorit artistik, por me ekipin që jemi duke punuar nën udhëheqjen e drejtorit të Festivalit, Rilind Gërvalla, jemi duke u mundua me sjellë diçka të veçantë dhe normalisht duke e respektuar historinë dhe peshën që e mban ky emër, duke shikuar përpara dhe duke përgatitur një program cilësor televiziv”, tha ai.

Dy netët e para do të jenë dedikuar muzikës moderne, ndërkaq nata e fundit do të jetë skenë për zërat e rinj, përkatësisht fëmijët.

“Fëmijët e meritojnë ta krijojnë një traditë, përvojë në një skenë të tillë dhe është diçka e jashtëzakonshme sepse do të jenë të përcjellur live në orkestrën e profesionistëve dhe në një skenë jashtëzakonisht të madhe”, tha ai.

Boshnjaku shpjegoi se ëndrra për dërgimin e këngës fituese të Kosovës nga festivali në “Eurovision” vazhdon. Kësaj radhe përpjekjet bëhen edhe për “Junior Eurovision”.

“Pavarësisht rikthimit të emrit, festivali edhe me rregullore është një platformë e cila në momentin që RTK do të jetë pjesë e EBU-së dhe ngjarjes së ‘Euro Song’, ky festival do ta dërgojë këngën në ‘Euro Song’. Edhe për ‘Junior Eurovision’, që u dedikohet të rinjve, do të krijohet mundësia që fituesi i festivalit për fëmijë, i cili organizohet në kuadër të ‘Akordeve të Kosovës’, të përfaqësojë Kosovën në këtë garë”, tha ai.

Ai tha se tri edicionet e kaluara kanë qenë dëshmi që RTK mund të organizojë një ngjarje të tillë, me skenë të madhe muzikore e profesionistë të vyer të përfshirë në organizim.

Afati i aplikimit vazhdon të mbetet i hapur deri më 31 gusht 2026, në orën 23:59 dhe është i qasshëm në ueb-faqen zyrtare të RTK-së.

Për Mbrëmjen e Muzikës Moderne, ftohen të aplikojnë këngëtarë, kompozitorë dhe tekstshkrues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora shqiptare, me vepra të reja muzikore që pasqyrojnë zhvillimet bashkëkohore të muzikës shqiptare.

Ndërkaq, Mbrëmja e Muzikës për Fëmijë synon promovimin e talenteve të reja dhe të krijimtarisë muzikore për fëmijë. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë fëmijët e moshës 9 deri në 14 vjeç, ndërsa në garë mund të përfshihen edhe kompozitorë e tekstshkrues nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Go to TOP