Eurolona: Produktet tona janë 100% natyrale, pa vaj palme dhe yndyrëra bimore

Kompania Eurolona ka reaguar pas diskutimeve të fundit lidhur me përdorimin e vajit të palmës dhe yndyrërave bimore në industrinë ushqimore të qumështit në Kosovë, duke siguruar konsumatorët se të gjitha produktet e saj prodhohen vetëm me përbërës të pastër me bazë qumështi, njofton Kosova.info.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se asnjë nga produktet e saj nuk përmban vaj palme, yndyrë bimore zëvendësuese apo përbërës të tjerë që nuk përputhen me standardet e cilësisë dhe origjinalitetit.

Sipas Eurolonës, produktet vazhdojnë të prodhohen me qumësht nga ferma e kompanisë dhe fermerët vendorë, duke ruajtur standardin “Prej fermës në tryezë”.

“Që nga fillimi, kemi mbetur të përkushtuar ndaj produkteve 100% natyrale, duke ruajtur shijen autentike, cilësinë dhe besimin që konsumatorët tanë kanë ndërtuar ndër vite ndaj nesh”, thuhet në reagim.

Kompania ka falënderuar konsumatorët për besimin dhe mbështetjen ndaj produkteve vendore, duke theksuar përgjegjësinë ndaj konsumatorëve dhe institucioneve përkatëse. /Kosova.info/

Go to TOP