Esat Ejupi i bashkohet LDK-së në Podujevë
Kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë dhe kandidati për kryetar të komunës, Ekrem Hyseni, ka bërë të ditur se nga sot radhëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës i është bashkuar Esat Ejupi, një figurë e respektuar në Llap dhe më gjerë.
Në një deklaratë publike, Hyseni ka theksuar se Ejupi, i cili më parë ka qenë aktiv në kuadër të Partisë së Drejtësisë, është dalluar për profesionalizëm dhe integritet në angazhimin e tij politik.
“Esati, nga sot do të jetë pjesë e LDK-së, pjesë e ekipit të fitores, pjesë e qeverisjes së dinjitetshme, të përgjegjshme e llogaridhënëse të Podujevës pas 12 tetorit,” ka deklaruar Hyseni.
Ai ka vlerësuar kontributin dhe figurën e Ejupit duke theksuar se ai vjen nga një familje e çmuar dhe e respektuar, dhe se vendimi i tij për t’u bashkuar me LDK-në është një dëshmi e besimit në vizionin e kësaj partie për të ardhmen e Podujevës.
“Sot, Esati ka vendosur që rrugëtimin e tij politik ta vazhdojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në shtëpinë e dëshmuar politike, dera e së cilës është dhe do të mbetet e hapur për çdonjërin që ka vullnetin dhe gatishmërinë t’i jap komunës sonë një qeverisje të denjë e të pastër,” përfundon reagimi.
LDK-ja në Podujevë po përgatitet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me synimin për të rikthyer qeverisjen në komunë, ndërsa hyrja e figurave të reja si Ejupi po konsiderohet si forcim i mëtejmë i ekipit zgjedhor. /Kosova.info/
