Mbështetje nga SHBA për protestën e RTK-së: AFL-CIO solidarizohet me punëtorët për paga të drejta dhe media të lirë
Në prag të protestës së paralajmëruar për datën 6 gusht 2025, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka marrë një mbështetje të fuqishme ndërkombëtare nga federata më e madhe sindikale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, AFL-CIO, e cila përfaqëson mbi 15 milion punëtorë në sektorë të ndryshëm.
Në një letër zyrtare drejtuar Kryetarit të SPERTK-së, znj. Catherine Feingold, Drejtoreshë Ndërkombëtare e AFL-CIO, shpreh solidaritet të palëkundur me punëtorët e RTK-së, duke theksuar se media publike është thelbësore për demokracinë, dhe se mbi 700 punëtorët e saj meritojnë pagë të drejtë dhe siguri në punë.
“Ne qëndrojmë pranë jush në kërkesat për paga të plota dhe në kohë, si dhe për mbrojtjen e së ardhmes së një media të lirë dhe të pavarur në Kosovë,” thuhet në letrën nga AFL-CIO.
Kjo përkrahje ndërkombëtare vlerësohet nga SPERTK si një mesazh i qartë se kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme. SPERTK falënderon AFL-CIO për këtë mbështetje dhe bën thirrje për pjesëmarrje masive në protestën paqësore që do të mbahet të mërkurën, më 6 gusht në ora 11:00, para Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
“Dinjiteti dhe puna e ndershme nuk janë për t’u injoruar. RTK nuk ka nevojë për mëshirë, por për drejtësi”, thuhet në deklaratën përmbyllëse të sindikatës. /Kosova.info/
