“Enternet Sh.P.K: Vendimi i Ministrisë na ndaloi punën – Mbyllëm pikat e shitjes, rrezikohen 80% e punëtorëve”

Enternet Sh.P.K reagon pas mbylljes së pikave të shitjes: Vendimi i Ministrisë na ndaloi punën – Rrezikohet një sistem fiskal milionësh

Kompania Enternet Sh.P.K ka reaguar pas raportimeve të fundit në media, duke sqaruar arsyet e mbylljes së pikave të saj të shitjes dhe servisimit të arkave fiskale në gjithë Kosovën. Përmes një letre publike, kompania thekson se vendimi për mbyllje është pasojë direkte e hyrjes në fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ të Ministrisë së Financave dhe ATK-së, i cili, sipas tyre, ndalon operatorët që të shesin arka fiskale dhe të ofrojnë shërbime për to.

Enternet sqaron se ky udhëzim ka shkaktuar një rënie deri në 80% të të hyrave të kompanisë, duke theksuar se vendimi është marrë në një kohë kur atyre u ishte vazhduar licenca e operimit deri në vitin 2028. Sipas kompanisë, për të përmbushur kushtet e licencës ata kishin investuar rreth 2.5 milionë euro në stok dhe programe të reja.

“Me ndërprerjen e punës pa paralajmërim dhe pa dhënë kohë të mjaftueshme, ne kemi pësuar humbje të mëdha financiare. Jemi kthyer në pikën zero, e me ne edhe mijëra biznese që sot nuk kanë mundësi të operojnë me arka fiskale. Ndërkohë nuk është funksionalizuar asnjë sistem i ri për raportim në ATK”, thuhet në reagim.

Kompania paralajmëron pasoja zinxhirore për ekonominë, përfshirë rrezikun e krijimit të evazionit fiskal, mungesën e qartësisë për bizneset dhe rënien e të hyrave të buxhetit të shtetit.

“Për fat të keq, pa dëshirën tonë, jemi të detyruar të largojmë mbi 80% të stafit”, thuhet më tej në letër, duke e quajtur vendimin “njëanshëm” dhe të dëmshëm për një sistem të ndërtuar për vite me radhë me përfshirjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Edhe pse me kapacitete të reduktuara, Enternet njofton se vazhdon të operojë vetëm në një pikë në Pejë, për të ndihmuar bizneset që ende kanë nevojë për shërbimet e tyre. Ata kujtojnë se me ligj ishin të obliguar të kenë vetëm një pikë, por për 15 vite kishin funksionuar në shtatë qendra të mëdha të vendit për të qenë sa më afër bizneseve.

Në fund, Enternet akuzon institucionet se kanë injoruar paralajmërimet dhe kërkesat e tyre për të koordinuar kalimin në sistemin e ri fiskal, dhe kërkon nga ATK dhe Ministria e Financave që të ulen në një tryezë për të gjetur një zgjidhje në të mirë të bizneseve dhe të shtetit. /Kosova.info/

Go to TOP