Bajrami: Kosova po importon gjysmën e energjisë – mafia energjetike lulëzon në kurriz të qytetarëve
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj situatës energjetike në vend, duke e quajtur atë si rezultat të “mafisë energjetike” dhe paaftësisë së institucioneve të vendit.
Sipas saj, më 20 qershor 2025, Kosova ka arritur të prodhojë vetëm 7157 megavat energji, ndërsa ngarkesa ka qenë 13,950 megavat, duke bërë që gjysma e energjisë të importohet.
Bajrami thekson se për më pak se një muaj, tri blloqe të Termocentralit “Kosova A” kanë dalë jashtë funksionit:
🔴 Blloku A3 u ndal më 19 qershor, megjithëse tenderi për rehabilitimin e tij në vlerë prej 137 milionë eurosh është ende i hapur që nga janari;
🔴 Blloku A5 u ndal më 18 qershor për shkak të humbjes së ujit në kaldajë;
🔴 Blloku A4 është në remont që nga 16 maji.
Ajo ngriti shqetësimin se importi i energjisë që po bëhet për shkak të këtyre prishjeve nuk përfshihet në rritjen prej 16.1% të çmimit të energjisë dhe as në vendimin për përjashtimin e 1300 bizneseve nga furnizimi universal.
Bajrami akuzon se, në çdo ndërprerje të prodhimit vendor, përfitojnë tregtarët e energjisë, përfshirë kompanitë NOA dhe EFT të Vuk Hamoviqit.
“Fitimet e tyre janë çmime të rritura për të gjithë ne. Këto ndërprerje përkthehen në import të shtrenjtë dhe fatura më të larta për secilin prej nesh,” theksoi ajo.
Ajo kërkoi hetim urgjent nga Prokuroria për atë që e quajti “mafie energjetike”, duke kërkuar llogaridhënie dhe transparencë nga Ministria e Ekonomisë, KEK, ZRrE dhe KOSTT – institucione që, sipas saj, janë nën ndikimin e Qeverisë Kurti dhe po shërbejnë interesat e grupeve të fuqishme energjetike.
“Energjia nuk është luks, por nevojë jetike. Për tregtarët, ajo është kthyer në burim fitimi të majmë,” përfundon Bajrami. /Kosova.info/
