Enea Koliçi i bashkohet Kosova Düsseldorf
FC Kosova Düsseldorf ka bërë një përforcim në repartin më të ndjeshëm të skuadrës, atë të portës. Nga edicioni 2025/2026, portën e skuadrës që garon në kategoritë e ulëta të futbollit gjerman do ta mbrojë portieri i njohur shqiptar, Enea Koliçi.
Transferimi i Koliçit është zyrtarizuar të hënën nga klubi që bën gara në Gjermani.
“Me ardhjen e Koliçit, klubi ynë fiton jo vetëm një portier me eksperiencë, por edhe një lider të vërtetë brenda dhe jashtë fushës,” thuhet në njoftimin e FC Kosova Düsseldorf. “Koliçi, një figurë e njohur dhe me shumë përvojë në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar, vjen pas një periudhe me FC Ballkani, ku ishte pjesë e skuadrës në garat evropiane dhe elitën e futbollit kosovar. Gjatë sezonit të fundit, ai regjistroi paraqitje në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Konferencës, duke dëshmuar edhe një herë nivelin e lartë të tij mes shtyllave”.
Tridhjetë e nëntë vjeçari ka një karrierë të gjatë dhe të pasur. Në Kosovë ai ka mbrojtur portën e Gjilanit dhe më pas të Ballkanit, me të cilin fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e disa klubeve në Shqipëri dhe Greqi.
