Objekti që ishte planifikuar të shërbente si Klinikë e re e Emergjencës e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka përfunduar në krejt diçka tjetër.
Ai nisi të ndërtohej një dekadë më parë, por me vite shfrytëzohet për parkim veturash, deponi mbeturinash e çka jo tjetër. Aty, madje, duket se ka edhe njerëz që strehohen përkohësisht.
Ndërkohë, Emergjenca aktuale është e mbingarkuar me pacientë në shumicën e kohës, çka ka shtyrë autoritetet kompetente të bëjnë thirrje që rastet jourgjente të kërkojnë trajtim në qendra të mjekësisë familjare apo në spitalet rajonale. /REL/
Punimet për ndërtimin e objektit të ri të Emergjencës së QKUK-së kanë nisur më 2016 dhe planifikohej të përfundonin brenda tre vjetësh. Por, duket se asgjë nuk ka shkuar sipas planit.Struktura prej betoni u ndërtua brenda kompleksit të QKUK-së.Atëbotë, Ministria e Shëndetësisë pati thënë se objekti do t’i kishte pesë kate, sipërfaqe prej 17.500 metrave katrorë, shërbime të integruara emergjente, dhoma të mjaftueshme të intervenimeve dhe triazhimit – vlerësimit se çfarë urgjente mjekësore ka pacienti – mbi 200 shtretër dhe pajisje të reja, me qëllim të ofrimit të shërbimeve më cilësore shëndetësore.Objekti e kishte koston fillestare 8 milionë euro dhe synonte lehtësimin e ngarkesës në repartin aktual të Emergjencës. Me gjysmën e parave ka përfunduar vetëm ndërtimi i vrazhdë edhe nuk është marrë askush me të ndër vite.Si duket objekti nga jashtë…Në tetor të vitit 2025 Ministria e Shëndetësisë e ka hapur tenderin e ri për finalizim të punimeve dhe aty thuhej se vlera përfundimtare për finalizim të objektit mund të shkonte në mbi 20 milionë euro. Tender për finalizim të punimeve ishte hapur edhe më 2024, mirëpo ai më vonë ishte anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Si përfundim, objekti mbeti në këtë gjendje.Me shtretër të vjetër dhe mbeturina tjera të llojllojshme.Duke parë se jetësimi i projektit nuk ishte askund, shteti ndau fonde për rinovim të Klinikës ekzistente Emergjente. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia morën pjesë në përurimin e klinikës në gusht të vitit 2024. Punimet kushtuan rreth 800 mijë euro.Autoritetet thanë se objekti ishte tjetërsuar dhe që ishte rritur numri i shtretërve nga 20 në 25. Ndërkohë, objekti i ri mbeti kështu, me korniza shtretërish dhe hapësira të cilat shihet se vizitohen nga individë të rëndomtë herë pas here.Ka hapësira që duken edhe kështu.Shihet se dikujt objekti i shërben edhe për pakim veturash.Apo si deponi mbeturinash.Qendra Klinike Universitare e Kosovës vizitohet nga qindra mijëra pacientë në vit ndërsa Emergjenca është ndër sektorët që mban barrën më të rëndë, pasi aty është pikënisja për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.Qeveritë në Kosovë janë kritikuar në vazhdimësi pse sektorin e shëndetësisë nuk e kanë pasur prioritetet. Ndonëse janë hartuar dokumente e strategji, një pjesë e madhe kanë mbetur në letër. Me gjithë investimet, pacientët ankohen vazhdimisht për pritje të gjata, mungesë të shërbimeve, ilaçeve elementare dhe që nuk e marrin trajtimin që u nevojitet.