Embolo është emri i ri për sulmit e Milanit
Milani është duke monitoruar nga afër Breel Embolon, sulmuesin e kombëtares së Zvicrës dhe të AS Monaco, sipas raportimeve të “Sky Sport Italia”.
Sipas analistit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, lojtari është propozuar te “Rossonerët” që më herët gjatë këtij muaji. Tani klubi kuqezi duket i gatshëm të konkretizojë interesimin dhe të shqyrtojë mundësinë për të arritur një marrëveshje me klubin nga Principata.
Embolo shihet si një alternativë e përballueshme për repartin ofensiv të Milanit, pasi kontrata e tij me Monacon përfundon në qershor të vitit 2026. Kjo mund të jetë mundësia e fundit për klubin francez që të përfitojë financiarisht nga shitja e tij.
Sulmuesi 28-vjeçar iu bashkua Monacos në verën e vitit 2022 nga Borussia Monchengladbach për një tarifë prej 12.5 milionë eurosh, ndërsa më herët ka luajtur edhe për FC Basel dhe Schalke 04.
Me 77 paraqitje për Zvicrën dhe 18 gola të shënuar në arenën ndërkombëtare, Embolo ka ndërtuar një profil solid në nivel ndërkombëtar. Gjatë sezonit të kaluar, ai regjistroi 42 paraqitje me Monacon, duke kontribuar me shtatë gola dhe nëntë asistime.
Profili i tij përputhet me atë që Milani kërkon për pozitën e qendërsulmuesit – një lojtar me fizikalitet të lartë dhe shpejtësi. Për më tepër, kuqezinjtë nuk e përjashtojnë mundësinë e afrimit të më shumë se një sulmuesi këtë verë, me interesimin që vazhdon edhe për Dusan Vlahoviçin e Juventusit.
