Elhaida Dani emërohet drejtoreshë artistike në Festivalin e Këngës në RTSH

Këngëtarja e njohur shqiptare, Elhaida Dani, ka njoftuar se ka marrë pozitën e drejtoreshës artistike për Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar.

“Ky festival ka një rëndësi të madhe për mua si dhe për të gjithë shqiptarët, sepse unë jam rritur në atë skenë dhe e di sa e veçantë është për ne të gjithë. Të jesh pjesë e këtij eventi madhështor është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe që e marr me shumë seriozitet”, ka shkruar Dani.

Tutje këngëtarja e cila ka qenë fituese e një edicioni të “The Voice of Italy” e ka  prezantuar Shqipërinë në Eurovision, ka premtuar rigorozitet për proceset e punës për të mirën e festivalit.

“Jam e lumtur që po filloj këtë udhëtim duke marrë mësime nga më të mirët në spektaklin e muzikës, si Sanremo, direkt në selinë e Rai. Këto mësime të vlefshme do t’i sjell me vete në vendin tonë për të bërë më të mirën për festivalin tonë të dashur”, ka shkruar tutje ajo. /Kosova.info/

Go to TOP