Ekipet e Kosovës mësojnë kundërshtarët e mundshëm nëse kalojnë në raundet tjera të garave evropiane

Klubet nga Superliga e Kosovës, Ballkani, Llapi, Drita dhe Gjilani tashmë kanë mësuar ekipet e mundshme kundershare nëse kalojnë tutje në raundet e ardhshme të garave evropiane si Liga e Kampionëve apo Liga e Konferencës.

Ballkani në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve mund të përballet me klubin e madh suedez, Malmo, pasi tashmë është hedhur shorti për ndeshjet pas fazës së raundit të parë kualifikues.

Kampioni i Kosovës në futboll do të ndeshet fillimisht me lituanezët e Zalgirisit, ndërsa në rast fitore, në raundin e dytë kualifikues do të ndeshet me Malmon ose fituesin e raundit para-kualifikues.

Në rast se eliminohet nga Zalgiris, Ballkani ka mësuar edhe kundërshtarin eventual në Ligën e Konferencës. Klubi therandas aty do të përballej me humbësin e ndeshjes gjysmëfinale të raundit para-kualifikues të Ligës së Kampionëve, La Fiorita e San Marinos apo Inter Club d’Escaldesi i Andorrës.

Përveç kampionit të Kosovës, kundërshtarët e ardhshëm të mundshëm i kanë mësuar edhe fituesi i Kupës, Llapi dhe dy skuadrat tjera që do të paraqiten në sezonin e ardhshëm në garat evropiane, Drita dhe Gjilani.

Llapi në raundin e parë kualifikues do të përballet me Buducnostin e Podgoricës dhe nëse e kalon këtë raund, do të luajë kundër fituesit të ndeshjes në mes të klubit nga Islanda, Breidablik dhe atij nga Andorra, Santa Coloma.

Go to TOP