Efikasiteti i dobët në zgjidhjen e lëndëve të kontesteve në punë, ngarkon sistemin e gjyqësorit

Shkelja e të drejtave të punëtorit është një dukuri e shpeshtë në vendin tonë. Numri i qytetarëve që kërkojnë mbrojtjet gjyqësore për çështjet e punës është në rritje vit pas viti. Krejt kjo duket se është si rezultat i efikasitetit të dobët të gjyqësorit për ti trajtuar me kohë kontestet nga marrëdhënia e punës.

Mijëra lëndë paraqiten çdo vit në gjykatat themelore për zgjidhjen e kontesteve nga marrëdhënia e punës. Të tilla raste, ka sidomos në fushën e arsimit, ku një numër i madh i mësimdhënësve dorëzojnë padi për ti kërkuar mjetet të cilat janë të destinuara për shujta, pagat jubilare, pagat përcjellëse, udhëtim etj.

Të dhënat e fundit të publikuara nga MFK tregojnë se paditë e kontesteve nga marrëdhënia e punës presin me vite të tëra për gjykim përderisa sistemi gjyqësor vazhdon të mbingarkohet me lëndë të reja si rezultat i efikasitetit të ulët të gjykatave.

Efikasiteti i Gj.TH në zgjidhjen e lëndëve të kontesteve të punës më 2016, 2017 dhe 2018

Sipas të dhënave nga Milenium Foundation Kosovo (MFK), në vitin 2016 Gjykata Themelore e Prishtinës ka pasur 2 mijë e 222 lëndë të kontesteve në punë, prej tyre gjyqtarët arritën ti zgjidhin vetëm 678 lëndë. Pavarësisht dinamikës së grumbullimit të lëndëve të pambaruara, ritmi i punës në këtë gjykatë dhe degët e saj ka qenë i njëjtë edhe gjatë viteve 2017, 2018.

Në Gjykatën e Prishtinës, nga 2168 lëndë më 2017, janë zgjidhur 655, ndërsa më 2018, në këtë gjykatë janë adresuar 2615 lëndë të kësaj natyre, por janë zgjidhur vetëm 632.

Këto të dhëna tregojnë se kjo gjykatë është më e ngarkuara krahasuar  me gjykatat e tjera.

Efikasitet të ulët në gjykimin e kontesteve të punës ka edhe në degët e tjera të gjykatës së Prishtinës. Degët në Podujevë, Lipjan, Gracanicë e Gllogoc edhe pse kanë pasur pak raste, të dhënat tregojnë se ato nuk kanë arritur ti zgjidhin brenda vitit.

Gjykatësit e degës në Podujevë, nga 83 lëndë kanë arritur ti zgjidhin vetëm 22,  ndërsa në degën e Gllogocit janë zgjidhur 41 nga 106 sa kanë qenë në trajtim.

Më e dobëta për nga përformanca në gjykimin e kontesteve të punës del të ketë qenë dega në Graçanicë. Kjo degë ka zgjidhur vetëm 5% të lëndëve apo shprehur në raste, 2 nga 40 lëndë sa i kanë pasur në trajtim. Përderisa më 2017-n, ka zgjidhur vetëm një lëndë nga 47. E një vit më vonë, gjykatësit e kësaj dege u treguan më efikas, zgjidhën 18 lëndë nga 52 sosh.

Efikasitetin më të lartë duke e tejkaluar edhe atë të gjykatës amë del ta ketë pasur dega e Lipjanit. Kjo degë është e vetmja në rajonin e Prishtinës që i është afruar zgjidhjes së gjysmës së lëndëve që ka pasur në punë, pasi i ka dhënë zgjidhje 49.23% të lëndëve.

Efikasitet të ulët në trajtimin e kontesteve të punës kanë pasur edhe Gjykatat e tjera që gjykojnë në shkallë të parë.

Në Gjykatën  e Gjakovës në vitin 2016 janë dorëzuar 98 lëndë, por vetëm 36 prej tyre janë zgjidhur. Performancë pothuajse të njëjtë kanë pasur edhe kolegët e degëve të kësaj gjykate. Në Malishevë, nga 34 lëndë, janë zgjidhur vetëm 14, ndërsa 20 prej tyre janë bartur në vitin pasues, e në Rahovec nga 9 janë zgjidhur 6 lëndë.

Gjykata në Gjakovë një vit më vonë u tregua pak më efikase krahasuar më 2016-n. Më 2017, janë zgjidhur 54 lëndë nga 95 lëndë të kontesteve të punës, ndërsa 41 të pazgjidhura u bartën në vitin pasues. Më 2018, në total ishin 128 lëndë, prej tyre mbetën të papërfunduara 69.

Efikasitet paksa më i mirë në zgjidhjen e kontesteve të punës shihet në Gjykatën e Pejës. Të dhënat tregojnë se kjo gjykatë gjatë vitit 2016 ka zgjidhur 58 konteste të punës prej 119 sa i kishte pranuar.

Në vitin 2017 prej 102 rasteve gjykata e Pejës kishte arritur t’i zgjidhë vetëm 48 lëndë ndërsa në 2018 nga 144 raste i kishte zgjedhur vetëm  37.

Të dhënat tregojnë se as këtë efikasitet të Pejës nuk kanë arritur ta ndjekin degët e saj. Istogu gjatë  2016-s, ka zgjidhur vetëm 3 nga 13 kontestet e punës, përderisa dega në Klinë ka dështuar totalisht në gjykimin e këtyre rasteve pasi në vitin 2016 ka zgjidhur vetëm 2 nga 47 sa i ka pasur në punë. Njësoj kanë vepruar edhe gjatë viteve 2017, 2018.

Vetëm dega në Deçan ka arritur të zgjidhë 3 nga katër rastet sa i ka pasur në vitin 2016.

Efikasitet i ulët është treguar edhe në Mitrovicë. Kjo pasi në gjykatën e kësaj komune në vitin 2016 janë zgjidhur vetëm 26 nga 112 lëndët e kontesteve të punës. Intensitet të tillë ka pasur edhe gjatë dy viteve pasuese.

Rezultat më të mirë se qendra e tyre kanë treguar degën në Vushtrri e Skenderaj. Gjykata e Vushtrrisë ka zgjedhur 19 nga 48 lëndët ndërsa Skenderaj 27 nga 34 sa i kanë pasur gjithsej.

Më mirë nuk qëndrojnë punët as në Gjykatën e Gjilanit. Kjo Gjykatë në vitin 2016 ka zgjidhur 93 prej 264 lëndëve të natyrës së kontesteve të punës. Ngjashëm edhe dega në Viti e cila ka zgjidhur vetëm 5 prej 41 rasteve. Të dhënat tregojnë se në gjykimin e rasteve të kësaj natyre në rajonin e Gjilanit duhet të ndiqet shembulli i degës në Kamenicë. Kjo pasi dega e Kamenicës i ka zgjidhur 10 prej 11 rasteve sa i ka pranuar në vitin 2016.

Gjykatën Themelore në Gjilan, rezultati i dobët e ka përcjellë edhe më 2017 dhe 2018.

Efikasitetin më të lartë krahas gjykatave të tjera e ka ajo e Prizrenit. Të dhënat tregojnë se kjo gjykatë ka arritur të zgjidhë 40 nga 43 lëndët e kontesteve të punës. Mirëpo shembullin e saj nuk e kanë ndjekur edhe dega në Suharekë e Dragash. Kjo e fundit ka zgjidhur vetëm 5 prej 42 lëndëve ndërsa dega në Suharekë ka zgjidhur 38 nga 53 sa i ka pasur në total. Në vitin 2016 në Gjykatën Themelore të Prizrenit janë dorëzuar 43 lëndë që kanë të bëjnë me kontestet e punës përderisa janë zgjidhur pjesa dërmuese e tyre, 40 lëndë.

Edhe në Gjykatën e Ferizajt çështja me zgjidhjen e lëndëve është në nivel të kënaqshëm.

Me vetëm 4 lëndë të pazgjidhura nga 81 sa ka pranuar në  vitin 2016, kjo gjykatë ka pasur efikasitetin më të lartë nga të gjitha gjykatat themelore dhe degët e tyre në vend.

Këto rezultate të mira, Gjykata e Ferizajt i kishte edhe gjatë viteve 2017, 2018.

Pra, kjo është Gjykata e vetme që për tri vjet me radhë, kishte numrin më të lartë të lëndëve që ka trajtuar se sa të atyre të mbetura.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.

 /Kallxo.com/

Go to TOP