E vërteta do t’ju bajë të lirë!

Shkruan: Sami REPISHTI, PH.D.

Veritas vos liberadit!”, nji thanie e huazueme nga Bibla: “E vërteta do t’ju bajë të lirë!”. Sa e vërtetë ashtë kjo thanie u konfirmue këto vjetët e fundit në jetën politike të SHBAsë. E vërteta lufton “gënjeshtrën e madhe”!

Nji vit mbas ngjarjeve tragjike të 6 janarit 2021 që rrezikuen ekzistencën e demokracisë në vendin botënisht të njohun si “fortesë e demokracisë”, të gjithë përpiqemi me pa ma qartë, përtej tymit e gazit lotues, xhamave të thyem e mbeturinave të dyerve e dritareve të prishuna me shkopij, shufra hekuri si dhe gjakderdhjes që u kushtoi jetën të paktën shtatë qytetarëve dhe plagosjen e 130 të tjerëve, me nji dam material 36 milionë dollarësh.

Sot nuk mund të rezistojmë dëshirën – dhe domosdoshmëninë – e njohjes ma të plotë të këtij akti brutal, gangsteresk, të nji mase të indoktrinueme nga nji ish-President i mundun në kutitë e votimeve, aventurier politik dhe përgjegjës kryesor i “gënjeshtrës së madhe” (the big lie), që padrejtësisht reklamonte pushtetin e humbur…” nga manipulimet e palës fitimtare”(siç!).

Qartazi kemi të bajmë me nji akt kryengritje kundër demokracisë, përpjekje me kapë kupolën e administratës amerikane me forcë, nji akt i ideum, planifikuem dhe zbatuem me dhunë dhe me inkurajimin e hapun të nji Presidenti dështues, ish-Presidenti Donald J. Trump. Jr. Akti rebelues ka qenë fryma e fundit e përpjekjeve me pengue transferimin ligjor e normal të pushtetit presidencial të Amerikës. Ky akt terrorist vazhdon me tronditë edhe sot situatën politike në SHBA.

Editoriali i datës 2 janar 2022 i fletores “The NY Times” mbante titullin: “Çdo ditë ashtë nji 6 janar për ne”, megjithëse në sipërfaqe çdo gja rrjedh normalisht. Ashtë nji mashtrim që shumë votues e pranojnë me rrjedhime edhe ma kërcënuese. Ish-Presidenti dështak vazhdon me projektue “gënjeshtrën e madhe” si e vërteta e ditës pa paraqitë as edhe nji argument të vetëm justifikues.

Ma në fund, Dhoma e Përfaqësuesve amerikanë vendosi me formue nji komision deputetësh nga të dyja palët (kryetari demokrat, n.kryetari republikan) me nxjerrë “të vërtetën” në shesh. Nga hetimet shumëmujore u konfirmue se fajtori kryesor ashtë e mbetet ish-Presidenti Trump, i cili vazhdon me helmue atmosferën politike me mashtrime dhe deklarata alarmuese. Akoma ma keq!

Ai nxitë legjislatorët e shteteve të ndryshme me shumicë “republikane” me ba ndryshime, legjislacion që paturpsisht të shkelë ose të kufizojë të drejtat e qytetarëve të tjerë, kryesisht të popullsisë afro-amerikane. Nji ndërhymje e Presidentit Biden u ba imperative dhe përgjigjja e tij ishin fjalimet substanciale të 6 janarit dhe përsëri i 8 janarit 2022, në shtetin Georgia: nji kundërvuemje dinamike akteve “antidemokratike” dhe “antiamerikane”!

Më 6 janar, Presidenti Biden iu drejtue qytetarëve amerikanë me nji demaskim të plotë të “gënjeshtrës së madhe”, me numërimin e qëndrimeve të palës demokrate dhe me vendosmëninë mos me lejue marshin kërcënues e gënjeshtrat. Editoriali i 2 janarit përfundon: “Kurdoherë, përgjigjja e zakonshme ka qenë me thanë ‘nuk ashtë serioze’ ose ‘nuk do të ketë sukses’. Sa herë koha ka tregue se kemi qenë të gabuem para se të bahemi ma serioz.

Sa ma shpejt aq ma mirë, aq ma shpejt do të ushqejmë shpresën e shpëtimit në demokraci para rrezikut të madh”. Më 6 janar, Presidenti Biden përcaktoi këtë rrezik të madh si “thika në fytin e Amerikës”! “Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkueme të Amerikës ka krijue dhe shpërnda nji çerdhe gënjeshtrash në lidhje me votimet e 2020-ës…

Ai veproi kështu sepse ai preferon pushtetin ma shumë se parimin, sepse ai shikon interesin e tij personal si ma të randësishëm se interesat e kombit tij dhe qytetarëve amerikanë, dhe për arsye se egoizmi i tij i damtuem ka ma randësi për atë se demokracia jonë e Kushtetuta jonë. Ai nuk ka forcë të mjaftueshme me pranue humbjen”.

Profesori Jedesiah Britton-Purdy (Columbia Law School) thekson: “Nëse 6 janari ka qenë simptomë e nji krize në demokraci, përgjigjja ma e mirë ashtë ma shumë demokraci. Ka mundësi që na nuk jemi të aftë për këtë; në nji rast të këtillë e ardhmja duket e zbehtë. Por mënyra ma e mirë ashtë me e provue”. Ai vijon: “Vitaliteti i demokracisë nuk vjen nga nalt-poshtë. Åi vjen nga faktikisht qeverisja dhe pranimi me u qeverisë nga të tjerët, dhe mësimi që nxjerrim nga këto dy qëndrime.

Ai vjen nga nji kërkim konstant për shumica të reja që evitojnë dështimin dhe bajnë jetët tona ma të mira me u jetue. Kështu na mësojmë me besue, bashkë me Walt Whitman, se “çdo atom i imi ashtë aq i mirë sa ai i yti. E vetmja rrugë me shpëtue demokracinë ashtë me e rindërtue me realizëm”. Historia e SHBA-së ashtë historia e nji populli në kërkim të Lirisë së Individit. Demonstratat, manifestimet, debatet e nxehta, shfaqjet e çrregullta e veprime të elementeve kryengritës janë fenomene të nji orientimi që Kushtetuta amerikane e përcakton “…for a more perfect union…” për nji bashkësi ma të persosun; me nji fjalë, duhen ba përmirësime.

E shkrueme 250 vjet ma parë, ajo nuk mund të përgjigjet për problemet e vitit 2022. Nji përcaktim i këtillë krijon mundësinë e sugjerimit dhe diskutimit të lirë nga të gjithë, natyrisht nga qytetarë të lirë! Nji akt i vetëm për nji proces përparimtar që synon perfeksionimin e sistemit qeverisës. Prandej, Kushtetuta amerikane ka amenda mentet, aktet shtesë e plotësues të Kushtetutës. Fjalimet e 6 dhe 8 janarit 2022 nga Presidenti Biden janë nji përmbledhje e parimeve qytetare të shoqënisë amerikane të aktualizueme në sistemin qeveritar.

Cila ashtë Amerika dhe çfarë synon sot populli amerikan? Luftën kundër përpjekjeve për ndasi në mes të popullsisë, kundër nji ndamje kombëtare… akti ma antikombëtar! “Për të parën herë në histori, nji President u përpoq me pengue procesin e transferimit të pushtetit paqësisht me ndihmën e nji turme dhunuese, tue damtue ndërtesën e Kapitolit. Kjo nuk lejohet! Biden na mëson si na do të zbulojmë të vërtetën dhe se e vërteta na ban njerëz të lirë!

“Na jemi këtu sot me tregue të vërteten: Çfarë kemi pa? Na kemi pa, tha Presidenti, me sytë tonë si elementi i revoltuem kaloi nëpër këto korridore tue kercënue jetën e Kryetares së Parlamentit (Zonjën Nancy Pelosi), tue ngritë shtyllat e litarit me varë nënpresidentin e Shteteve të Bashkueme të Amerikës (Mike Pence).

Çfarë nuk kemi pa? Nuk kemi pa nji ish-President të grumbullojë masat për sulm-tue ndejë në sallën e bukës para televizionit tij privat, pranë Oval Office-it në Shtëpinë e Bardhë që shikonte çdo akt në televizion dhe nuk bani asnji përpjekje për orë të tana, ndërsa policët sulmoheshin, jetën e tyne në rrezik, dhe kryeqyteti i vendit tonë i rrethuem. Këtu nuk kemi të bajmë me nji grup turistësh; këtu kemi të bajmë me kryengritje të armatosun. Qëllimi i tyne ishte me mohue vullnetin e popullit (i shprehun në votime)”.

Ai pyeti: “A do të bahemi na nji komb që nuk don të jetojë në dritën e së vërtetës, a por në hijen e gënjeshtrës? dhe “Å mund të mendojmë për nji skenar ma të shemtuem të këtij shekulli për Amerikën?….Unë nuk mendoj! Kjo ashtë e gabueme! Ashtë anti-demokratike! Ashtë anti-amerikane……”. “E vërteta ashtë se në këto votime (të 3 nandorit 2020) në historinë amerikane kanë qenë ma të mbikqyruna dhe ma mirë të numërueme se kurdoherë”….

Për këtë, ai (Trump) nuk ashtë vetëm nji ish-President. Ai ashtë njikohësisht nji ish-President i mundun që dërgoi militantët e tij me përndjekë anëtarët e Kongresit”. “Ju nuk mund të doni vendin tuej vetëm kur ju fitoni!”. “Ju nuk mund të bindeni para ligjit, vetëm kur ashtë në favorin tuej”. “Ju nuk mund të jeni patriot kur ju përqafoni dhe mundësoni gënjeshtrën!”. “Ata që sulmuen Kapitolin dhe ata që e nxiten këtë sulm kanë mbajtë thikën në fyt të Amerikës- të demokracisë në Amerikë.

Ata nuk erdhën këtu nga patriotizmi ose nga qëndrimi parimor. Ata erdhën këtu nga egërsia – jo në shërbim të Amerikës, por në shërbim të nji personi…. Premtimi që jep Amerika sulmohet sot nga forca që vlerësojnë forcën brute ma shumë se shejtëninë e demokracisë; frikën ma shumë se shpresën, fitimet vetjake mbi të mirën e përgjithshme të popullsisë. Mos harroni se sot jetojmë ne një pikë udhëkryq të historisë!”. “Na jemi të angazhuem me fitue betejën për shpirtin e Amerikës… Unë do të qëndroj në këtë pozicion. Unë do të mbroj këtë komb. Unë nuk do të lejoj që kushdo qoftë të vërë thikën në fyt të Amerikës”…..

“Në thellësitë e shpirtit amerikan buron nji flakë e ndezun rreth 250 vjet ma parë -flakë e lirisë dhe barazisë për të gjithë. Kjo tokë nuk asht vendi i mbretënve, i diktatorëve ose i autokratëve. Na jemi nji komb me ligje e rend publik e jo me kaos; nji komb i paqes dhe jo i dhunës. Këtu në Amerikë populli sundon me autoritetin ligjor të dhanun nga votimet dhe vullneti i popullit ashtë kryesor.

“Le të mos harrojmë: së bashku na jemi nji komb, nën mbrojtjen e Zotit, i pandamë sot, nesër, përgjithmonë me anën ma të mirë të qenies sonë, na jemi Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Zoti bekoftë të gjithë ata që mbrojnë demokracinë”. Kështu foli Presidenti Biden! Për ma shumë se nji vit, Presidenti Biden e injoroi kundërshtarin e tij dhe e quente “ai i së kaluemes”; kësaj radhe ai angazhoi Donald J.Trump, Jr. direkt dhe trampizmin si nji çerdhe gënjeshtrash.

Ajo që shqetëson shumicën e qytetarëve amerikanë ashtë mundësia që incidenti banal e fatal i 6 janarit të shërbejë me mobilizue qytetarë amerikanë me tendenca agresive me rritë tensionin politik në vend, dhe sidomos përdorimin e dhunës si mjet për avancim karrierash, kryesisht në mes të legjislatorëve të tanishëm dhe të ardhshëm. Kryetari i Senatit amerikan, Senator Mich McConnell, deklaroi:” data 6 janar 2021 do të kujtohet si …nji ditë e zezë për Kongresin dhe për vendin tonë!”.

Mbas nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë Amerikane, 4 korrik 1776, turma rrethoi kongresistin amerikan, Benjamin Franklin, dhe e mbuloi me pyetje. Plaku i urtë u përgjegj: “Na e themeluem shtetin amerikan. Tashti, ashtë detyra juej ta mbroni dhe ta zhvilloni”. Demokracia nuk ashtë nji shprehje e thjeshtë dhe e zakonshme.

Unë e shoh demokracinë si nji angazhim i marrun lirisht dhe vullnetarisht nga qytetarët e lirë me mbrojtë jetën, lirinë dhe dinjitetin njerëzor të çdo individi, për të gjithë qytetarët pa dallim, pa përjashtim, për nji jetë të lirë nga frika dhe të lirë nga uria. Sinonimi i “demokracisë” ashtë “pjesëmarrja” dhe fryma e punës demokratike ashtë “kompromisi”, jo me parimet, por me zbatimin e vendimeve të marruna, pa sakrifikue “të mirën” në altarin e “përsosjes”. Së bashku arrihet “fitorja finale”.

Go to TOP