E dhimbshme: 28-vjeçari dyshohet se vrau veten mbrëmë në Prishtinë me armën e babait të tij, që është polic

Mbrëmë është raportuar për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, ku një person është gjetur pa shenja jete në një veturë. Sipas informacioneve të para, i riu dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.

Sinjali mëson se viktima është Ermal Vitija, 28-vjeçar, nga fshati Hajvali i Prishtinës.

Vitija dyshohet se ka përdorur armën e babait të tij, i cili është zyrtar policor, për të kryer aktin e rëndë.

Sipas burimeve të Sinjalit, në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e babait të të ndjerit.

Rastin tragjik e ka konfirmuar mbrëmë edhe Policia e Kosovës, e cila tha se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.

“Rreth orës 21:00 kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në një veturë në rrugën ‘Sokol Sopi’ në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, si dhe ekipi i mjekëve emergjentë, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, mashkull, rreth 28 vjeç. Përkundër që mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vetëvrasje, policia me kujdes të shtuar po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen”, tha zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.

Go to TOP