Pesë shoferë ndëshkohen në Ferizaj për kundërvajtje të rënda në trafik

Policia e Kosovës ka ndëshkuar pesë shoferë për kundërvajtje të rënda në trafik, pasi u kapën duke tejkaluar kolonën e automjeteve përmes shiritit emergjent në dalje të autostradës, në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Ferizajt, rasti ka ndodhur më 24 korrik 2026, kur zyrtarët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor identifikuan dhe sanksionuan drejtuesit e automjeteve që kishin shkelur rregullat e qarkullimit në drejtim të rrethrrotullimit.

Katër shoferët e ndëshkuar janë me patentë shoferi vendore dhe një me patentë shoferi të huaj.

“Në bazë të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, katër shoferëve me patentë shoferi të Kosovës u është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, janë penalizuar me tre pikë negative dhe u është marrë leja e drejtimit për një periudhë prej një viti”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, shoferi me patentë shoferi të huaj është gjobitur me 300 euro dhe ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të automjetit për një vit në territorin e Republikës së Kosovës.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet dhe aktivitetet e shtuara në trafik me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe zbatimin e plotë të ligjit.


Go to TOP