Drogë me postë nga Anglia, arrestohen dy adoleshentët në Tiranë
Dy adoleshentë janë arrestuar nga Policia pasi u zbulua se sillnin me postë lëndë narkotike nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri.
Në pranga kanë përfunduar M.V. dhe D.Sh., të dy 18 vjeç, si dhe u sekuestruan 2 pako me 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
“Në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi”, Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, shtetasi D. Sh. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është shtetasi M. V., i cili ka dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vendi i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë”, tha Policia.
Sipas autoriteteve, ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar. Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 shtetas.