Drita mposht Ferizajn dhe merr kryeun, barazojnë Llapi e Prishtina

Drita ka shënuar fitore me përmbysje ndaj Ferizajt, duke u ngjitur në vendin e parë të Superligës së Kosovës.

Ndeshja e zhvilluar të dielën si pjesë e xhiros së trembëdhjetë të të kampionatit, ka përfunduar me rezultat 2:1 në favor të gjilanasve.

Ferizaj ka kaluar në epërsi në minutën e gjashtëdhjetë përmes një goli të Betim Haxhimusës. Megjithatë, tetë minuta më vonë, Besnik Krasniqi e ka barazuar për Dritën nga penalltia, ndërsa qendërmbrojtësi Egzon Bejtullai ka realizuar golin e fitores në minutën e shtatëdhjetë e dytë.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të ditës, Llapi dhe Prishtina kanë ndarë pikët pasi përfunduan baras 1:1. Ilir Blakqori e ka kaluar Llapin në avantazh në minutën e tridhjetë e dytë, ndërsa Ardian Limani e ka barazuar rezultatin në minutat e fundit të ndeshjes (92′).

Pas këtyre ndeshjeve, Drita kryeson tabelën me njëzet e pesë pikë, ndërsa në vendin e fundit gjendet Feronikeli 74, i cili ka vetëm tri pikë.

Go to TOP