Drenori: Askush më nuk e ka të sigurt fitoren në Drenas, balotazhi është i sigurt

Kandidati për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, i cili edhe më përpara kishte kandiduar për këtë post, deklaroi se tani është në avantazh, sepse siç tha, kryetari aktual, Ramiz Lladrovci, ka qeverisur për pesë vjet dhe se qytetarët nuk kanë qenë të kënaqur me performancën e qeverisjes së tij.

I ftuar në emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, ai tha se faktori që ka ndikuar në kandidimin e tij është problemi i çështjeve mjedisore, me të cilët shtoi se është marrë që nga viti 2013 kur e kishte marrë edhe mandatin e anëtarit të Kuvendit.

“Ankesat më të mëdha atje kanë qenë për shkak të ndotjes së pakontrolluar të fabrikës së Ferronikelit, gurthyesit, varrezat e makinave dhe deponitë e mbeturinave”.

“Kësaj radhe kemi ardhur me këtë risi, me kauzën e platformën tonë “Green”, që do të thotë me politika ambientaliste e mbrojtjen e mjedisit, sepse kemi thënë që ne do të shkojmë tek ato që janë të prekshme, të lehta të realizohen e jo me shumë financa, por që qytetarëve u krijon një mjedis të pastër”.

“Programi ynë ofron një risi dhe prapa meje nuk qëndrojnë as grupe të ndryshme të interesit, as të  komandantëve ose qoftë të kriminelëve, por qëndrojnë qytetarët dhe një pjesë e ekspertëve që çdo ditë e më tepër po na afrohen”, tha ai.

Në bazë të një sondazhi që e ceku Drenori, momentalisht Lladrovci radhitet i pari, VV e dyta dhe vet ai i treti, por që kjo sipas tij pritet të shihet gjatë ditëve në vijim.

“Nuk ekziston më bastioni i PDK-së se është ndarë votuesi. Atje më nuk e ka askush të sigurt fitoren, sepse balotazhi është i sigurt”, deklaroi Drenori në Klan Kosova.

Go to TOP