Përfundon me sukses kursi ndërkombëtar i FIVB-së për trajnerët e volejbollit në Kosovë
Federata e Volejbollit e Kosovës ka përmbyllur me sukses kursin ndërkombëtar FIVB Coaches Course – Level II Volleyball, i cili u zhvillua për pesë ditë me ligjërata teorike, sesione praktike dhe testime profesionale për trajnerët pjesëmarrës.
Në ditën e fundit të kursit, të mbajtur në Hotel Ador në Prishtinë, trajnerët iu nënshtruan testit teorik, duke përmbyllur procesin e vlerësimit të njohurive të fituara gjatë programit.
Zhvillimin e testimit e përcolli nga afër drejtori i kursit, Valon Nikqi, i cili përgëzoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë organizimit.
Federata e Volejbollit e Kosovës shprehu mirënjohje të veçantë për instruktorin e FIVB-së, Kristian Michailov, për profesionalizmin dhe kontributin e tij në avancimin e njohurive të trajnerëve kosovarë.
Gjithashtu, falënderime iu adresuan edhe Komitetit Olimpik të Kosovës dhe programit Olympic Solidarity, mbështetja e të cilëve mundësoi realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për zhvillimin e volejbollit në Kosovë.
Federata vlerësoi edhe përkushtimin e të gjithë trajnerëve pjesëmarrës, duke theksuar se investimi në edukimin profesional është një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së cilësisë së volejbollit kosovar dhe afrimit të tij me standardet ndërkombëtare. /Kosova.info/
