Down Syndrome Kosova kërkon mbështetje për shërbimet terapeutike me fushatën “Me Zemër”
Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK) ka nisur një fushatë sensibilizuese për mbledhjen e fondeve, me qëllim të ofrimit të shërbimeve terapeutike për mbi 300 fëmijë, të rinj dhe të rritur me sindromën Down në Kosovë.
DSK operon në pesë qendra në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan duke ofruar terapi falas për personat me sindromën Down, për të mbështetur zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.
Për shkak të kostove të larta, sigurimi i shërbimeve të vazhdueshme mbetet sfidë e madhe për organizatën. Prandaj, Shoqata ka bërë thirrje për mbështetje nga qytetarët përmes dërgimit të një mesazhi me tekstin “Me Zemër” në numrin 55550 (vetëm nga numrat e Valës), me koston simbolike prej 1 euro.

“Mbështetja juaj do të ndihmojë në sigurimin e shërbimeve terapeutike për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down, duke kontribuar në përmirësimin e jetës së tyre”, thuhet në njoftimin e DSK-së.
Shoqata ka bërë thirrje që qytetarët dhe bizneset të bashkohen në këtë kauzë, duke dhënë kontributin e tyre për një shoqëri më gjithëpërfshirëse.
📌 SMS Me Zemër në numrin 55550
Një euro, një zemër, një ndryshim! /Kosova.info/
