Donfried thotë se SHBA do të kujdeset për sigurinë në Kosovë, por dëshiron marrëveshje në dialog
Ndihmës sekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e Amerikës për Kosovën.
Në një adresim para mediave bashkë me presidenten Vjosa Osmani, Donfried ka thënë se SHBA dëshiron një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi me njohje reciproke.
Ajo thotë se pas luftës në Ukrainë është shumë e rëndësishme që të vazhdohet me reforma për t’u integruar në institucionet veri-atlantike.
”Lufta e pajustifikuar dhe brutale në Rusi, na ka treguar sa e rëndësishme dhe urgjente është që të punojmë për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë reformat e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e tyre në institucionet euroatlantike”.
Duke folur për sigurinë në Kosovë, Ndihmës sekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike tha se paqja në Kosovë është fituar me shumë mund.
”Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të merren si punë të kryera. Të gjithë ne duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar nevojat e qytetarëve. Kjo do të thotë avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova e merr vendin e duhur në institucionet e saj evropiane dhe euroatlantike përfshirë përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”.
Donfried foli për sigurinë në Kosovë, ku u kujdes të përmend se misioni i KFOR-it është përkushtimi që ka Amerika për sigurinë në shtetin e Kosovës.
“Shumë kosovarë janë të shqetësuar për sigurinë e Kosovës. Dua t’ju sigurojë se përkushtimi i SHBA-së dhe aleatëve mbetet i fuqishëm. KFOR-i, që është zbarkimi më i madh i NATO-s, është një manifestim i madh dhe i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. SHBA-ja është krenare që Kosova mund ta quajë partnere të saj”, tha Donfried.
Donfried lavdëroi Kosovën për strehimin e afganëve, duke thënë se me këto veprime ajo tregoi lidership në skenën ndërkombëtare.
