Doli nga shtypi libri “Don Fran Sopi Frymëzues dhe shpërndarës i dashurisë Hyjnore” i Lekë Mrijaj

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Shtypshkronja prestigjioze “Dukagjini” në Pejë, nën mbikëqyrjen e drejtorit të Shtypshkronjës z. Lavdim Beqiri (së bashku me stafin e tij të përkushtuar profesional), sot, ka nxjerrë në dritë dhe me sukses shtypin e librit tim më të ri, të titulluar “Don Fran Sopi – Frymëzues dhe shpërndarës i dashurisë Hyjnore”.

Ky botim është një rezultat i një pune disa mujore dhe të thelluar hulumtuese, reflektimi dhe përkushtimi, që synon të ofrojë një pasqyrë të plotë mbi jetën, veprën dhe misionin e jashtëzakonshëm shumëdimensional të Don Fran Sopit.

Libri në fjalë është një dëshmi për këtë figurë të shquar shumëdimensionale fetare, kulturore dhe kombëtare, i cili, përmes sakrificës, dashurisë hyjnore dhe angazhimit të tij të palodhshëm, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën shpirtërore dhe kulturore të popullit tonë.

Në 500 faqe të ndara të librit, në pesë kapituj gjithëpërfshirës, përfshihen reflektime, opinione të bashkëkohësve, dëshmi dhe fotografi të rëndësishme, duke ia ofruar lexuesit mundësinë të njohin më afër këtë njeri të madh, i cili për 50 vite shërbeu si frymëzim për ata që patën mundësinë ta takonin ose të dëgjonin për veprat e tij.

Për realizimin e këtij botimi, falënderoj nga zemra të gjithë ata që kontribuuan, duke filluar nga dy redaktorët e librit, Msgr. dr. Lush Gjergji (e bëri parathënien) dhe prof. Pal Canaj (veq redaktimit është paraqitur me një opinion), recensentët Frok Zefi, famullitar i Binçes dhe studiues i njohur për kontributet e tij kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe prof. Din Kelmendi. Falë lektorit gjuhësor profesional, prof. Mikel Gojani, për punën e tij të vyer në përmirësimin e cilësisë gjuhësore të librit, dhe përkthyeses prof. Loreta L. Mrijaj, që ka siguruar saktësinë dhe ndihmesën në përkthimin e materialeve.

Po ashtu, një falënderim të veçantë për përzgjedhësin e fotografisë së kopertinës, z. Sali Cacaj-Drini, i cili bëri përzgjedhjen artistike të një imazhi që pasqyron më së miri thelbin e librit. Një falënderim tjetër i veçantë ecën për Shtëpinë Botuese “HIERONIMUS” në Klinë qe drejtohet nga drejtori i saj, prof. Dodë Ndrecaj.

Një falënderim tjetër i posaçëm ecën edhe për sponsorizuesin i cili ka pasë dëshirë të mbetet nën frazën biblike “mos ta di e majta çfarë jep e djathta”.

Shpresoj dhe besoj se ky libër do të gjejë vendin e tij të merituar në bibliotekat tuaja dhe të gjithë atyre që e duan historinë, kulturën dhe trashëgiminë shpirtërore të popullit tonë.

Ky libër i botuar është një përpjekje modeste për të ruajtur, falënderuar, dhe përjetësuar vlerat dhe kujtimin e Don Fran Sopit si një frymëzim për brezat që do të vijnë.

Lidhur për promovimin e këtij libri do t’ju njoftojmë me kohë. Faleminderit!!!


Go to TOP