Dita e pestë në `Prizren Fest`, nga fëmijët te kujtesa historike
Dita e pestë e festivalit `Prizren Fest` nisi me një punëtori kreative për fëmijë, e cila ka filluar që nga data 21 korrik, një hapësirë ku zëri dhe imagjinata e të vegjëlve u bënë pjesë e udhës artistike që po ndërtohet ndërkombëtarisht në qytetin historik të Prizrenit.
Në mbrëmje, skena teatrore u hap me dy shfaqje të fuqishme dhe përmbajtësore që trajtuan tema të identitetit, lirisë dhe të kaluarës së vështirë.
Në teatrin e qytetit “Bekim Fehmiu” u dha shfaqja “Unë jam vetë grua”, me regji nga Kushtrim Koliqi dhe interpretim të fuqishëm nga Adrian Morina. Shfaqja solli në skenë historinë e Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore gjermane që i mbijetoi nazizmit dhe regjimit komunist.
E bazuar në dramën fituese të çmimeve Pulitzer dhe Tony të Doug Wright, shfaqja sjell këtë figurë të jashtëzakonshme përmes më shumë se 30 personazheve të interpretuar nga një aktor i vetëm – një dëshmi artistike e transformimit, qëndresës dhe të vërtetës personale.
“P’tit Jean Le Géant” nga Franca u shfaq në oborrin e Katedrales Katolike.
Në një skenografi simbolike dhe hapësirë shpirtërore, trupa franceze Compagnie Liria solli shfaqjen “I vogli Zhan gjigandi”, një rrëfim i thellë për një ish-gjeneral që përpiqet të fshijë të kaluarën përmes një ekzistence të re në periferi.
Ngarkuar me fantazmat e fajit dhe kujtimeve, shfaqja përshkoi kufirin e hollë mes realitetit dhe imagjinatës, me gratë si figura të forta që mbajnë peshën e historisë dhe sfidën e bashkëjetesës në kohë krize.
Gjithashtu, skena për fëmijë mirëpriti performanca nga Bullgaria dhe Kosova, duke mbajtur të gjallë dimensionin e lojës, edukimit dhe bashkëpunimit kulturor mes kombeve.
E gjithë mbrëmja u mbyll me zërin e këngëtares së njohur Vesa Smolica.
Sonte, festivali vazhdon me një program të pasur artistik, duke përforcuar mesazhin se teatri është një zë që sfidon harresën, heshtjen dhe frikën.

