Diplomon kontingjenti i radhës i specialistëve të FSK-së, të gatshëm për operacione ushtarake jashtë vendit

Ushtria e Kosovës vazhdon të plotësohet me kuadro profesionale.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë lajmin se tashmë ka diplomuar edhe kontingjenti i radhës i specialistëve të FSK-së për Operacione Shumëkombëshe të Mbështetjes së Paqes.

“Përkrah kolegëve nga vende të ndryshme të Botës, Toger Valdet Halimi, Rreshter shtabor Sabri Osmani, Rreshter shtabor Burim Haxhijaj dhe Rreshter shtabor Vedat Shatri, kanë diplomuar me sukses në Kursin për Operacione Shumëkombëshe të Mbështetjes së Paqes (MPSO), në Qendrën Trajnuese Ushtarake Britanike në Vyskov të Çekisë”, ka njoftuar Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes thotë se ushtarakët tanë janë trajnuar nga instruktorët britanikë.

“Përgjatë një muaji, ushtarakët tanë kanë mësuar mbi teknikat dhe procedurat më të avancuara që aplikohen gjatë operacioneve të ngjashme, nga instruktorët britanik me cilësi të lartë dhe me një përvojë të pasur operacionale nga teatrot kryesore të konflikteve”.

Mehaj ka shprehur gatishmërinë e ushtarakëve tanë për të dhënë kontributin efektiv, në operacione shumëkombëshe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë kudo në Botë.

“Së bashku me partnerët tanë vazhdojmë drejtë sukseseve të radhës”, ka shkruar tutje Mehaj.

Kujtojmë, krerët e institucioneve më të larta shtetërore tashmë kanë bërë publike kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO.

Ekipe të ndryshme të specializuara të FSK-së tashmë kanë marrë pjesë në misione të ndryshme paqeruajtëse krahas ushtrive aleate të NATO-s.

Go to TOP