Digjet shtëpia e një serbi në Istog, reagon OSBE-ja
Të hënën rreth orës 08:00 është përfshirë nga zjarri shtëpia e një qytetari serb në fshatin Veriq, komuna e Istogut.
Gashi ka thënë se policia është njoftuar nga fqinji i viktimës.
“Dje rreth orës 08:00 një fqinj i viktimës ka njoftuar se në fshatin Veriq një shtëpi është përfshirë nga zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe policia dhe pastaj kanë dalë edhe njësitet kompetente dhe eksperti i zjarrit”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se lidhur me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka kërkuar që rasti të cilësohet si “Zjarrvënie” dhe se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rastin.
Gashi më tej ka shtuar se shtëpia ka qenë e pabanuar dhe se pronari i saj është një serb.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Në një reagim në Twitter, OSBE-ja ka kërkuar nga Policia të hetojë rastin dhe autorët të vihen para drejtësisë.
“Dënojmë sulmin me zjarrvënie ndaj një shtëpie të sapondërtuar të një serbi të Kosovës të kthyer në Veriq – komuna e Istogut. I bëjmë thirrje policisë të hetojë rastin dhe të vërë para drejtësisë autorët.
Së bashku me institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, ne mbështesim fuqimisht kthimin e personave të zhvendosur, në përputhje me mandatin tonë për të drejtat e njeriut. Për këtë qëllim, mirëpresim gatishmërinë e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim për të vazhduar mbështetjen për familjen e prekur”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
