Dibrani: Deputetët pa Kuvend të kthejnë pagat, mbi 90% janë analfabetë politik
Analisti Petrit Dibrani ka reaguar ashpër ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët, sipas tij, po marrin paga pa kryer punën për të cilën janë zgjedhur. Ai i ka quajtur mbi 90% të tyre “analfabetë” dhe ka kërkuar që mjetet e përfituara padrejtësisht t’i kthehen buxhetit të shtetit.
“Ktheni paratë nga pagat e marrura: ju deputet pa-Kuvend, që jeni mbi 90% analfabet!”, ka deklaruar Dibrani.
Duke u ndalur te roli i qytetarëve, ai tha se shqiptarët e Kosovës, të cilët kanë sakrifikuar ndër shekuj dhe që sot janë taksapaguesit kryesorë, nuk duhet të mbahen peng i një politike që, sipas tij, karakterizohet nga mediokriteti dhe paaftësia.
“Ne, si shqiptarë të tokës dardane, të larë ndër shekuj me gjakun e shqiptarëve dhe të gjithë qytetarët bashkërisht, pavarësisht nacionalitetit, jemi taksapagues dhe gjenerues kryesor të buxhetit të shtetit, në Republikën Parlamentare të Kosovës”, u shpreh ai.
Në fund, Dibrani shtoi se: “Mediokritetët e bashkuar me analfabetë janë pazotësia që po duartroket dhe po na shkatërron tash e 25 vjet.” /Kosova.info/
