Dhoma e Tregtisë nis betejën ligjore kundër liberalizimit të shpejtë të tregut të energjisë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka njoftuar se do të nisë një betejë ligjore kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë elektrike në vend.

Në një reagim publik, DHTIK ka vlerësuar se ky vendim është marrë pa një analizë të thelluar dhe pa asnjë konsultim paraprak me palët e interesit. Sipas tyre, kjo qasje rrezikon të dëmtojë seriozisht bizneset vendore.

“ZRRE ka deklaruar se 19 kompani kanë licencë për furnizim me energji elektrike, por në realitet vetëm KESCO po ofron një shërbim të tillë – dhe atë me çmime shumë më të larta se çmimi aktual,” thuhet në deklaratë.

DHTIK gjithashtu ka kritikuar ndryshimin e kritereve të përfshirjes në tregun e liberalizuar. Deri më tani, në tregun e hapur përfshiheshin vetëm kompanitë me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro, por sipas informacioneve të reja, ZRRE ka vendosur që në këtë kategori të përfshijë edhe bizneset që kanë deri në 50 punëtorë.

“Ky vendim i paarsyeshëm dhe i njëanshëm po krijon pasiguri për mijëra biznese dhe rrezikon që energjia të shndërrohet në barrë të papërballueshme për to,” thuhet në fund të deklaratës.

Dhoma ka bërë të ditur se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur interesin e komunitetit të biznesit dhe për të kërkuar pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi nga ZRRE. /Kosova.info/


Go to TOP