Der Spiegel: Scholz ia refuzoi ftesën Bidenit për të diskutuar rreth Ukrainës

Revista e njohur gjermane, “Der Spiegel”, raportoi të premten se Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e ka refuzuar një ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, për të diskutuar rreth krizës në Ukrainë.

Sipas kësaj reviste, Scholz nuk e pranoi ftesën për shkak të agjendës së ngjeshur, përfshirë një udhëtim në Madrid të Spanjës si dhe për shkak të dëshirës për të treguar se ndodhet i angazhuar me zhvillimet në vend, kur Gjermania po përballet me rritje të infeksioneve të koronavirusit, shkruan Reuters.

Ndryshe, fuqitë perëndimore dhe Rusia javën e kaluar zhvilluan tri runde të bisedimeve diplomatike për uljen e tensioneve, kryesisht shkaku i Ukrainës, por edhe për arsye të tjera.

Të hënën e javës së kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia zhvilluan bisedime në Gjenevë të Zvicrës. Të mërkurën e javës së kaluar, në Bruksel të Belgjikës u zhvilluan bisedime mes NATO-s dhe Rusisë. Të enjten e javës së kaluar., OSBE-ja zhvilloi bisedime me Rusinë në Vjenë të Austrisë.

Është thënë se në këto takime pati diskutime serioze, por edhe vazhdim të mospajtimeve. Rrjedhimisht, nuk është raportuar për ndonjë rezultat konkret ose ndonjë marrëveshje të rëndësishme pas bisedimeve.

Përpjekjet për zgjidhje diplomatike po vazhdojnë edhe këtë javë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, do të zhvillojnë të premten bisedime në kohën e rritjes së shqetësimit se Rusia mund ta pushtojë Ukrainën.

Go to TOP