Deputetja Kodra: Kryeministër, larg duart nga mediat
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë (MINT) për t’ia pezulluar licencën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK.
Në një reagim në Facebook, deputetja i drejtohet kryeministrit Albin Kurti, duke e falënderuar me ironi për heqjen e licencës.
“I nderuar Kryeministër, Faleminderit që ia hoqët licencën Klan Kosovës. Kush ka nevojë për një televizion të paanshëm, me lajme kredibile dhe informuese?”, thotë ndër të tjera Deliu-Kodra.
Shoqëria kosovare, thotë më tej deputetja, nuk ka nevojë për një medium i cili i bashkon dhe i informon qytetarët për gjithçka të rëndësishme në këtë vend – e posaçërisht për Qeverinë.
“Jo – le t’i mbajmë të gjithë qytetarët në errësirë, posaçërisht për zhvillimet e fundit dhe fatin e Kosovës. Madje, ju inkurajoj që të vazhdoni me vendime të tilla edhe për mediat e tjera të pavarura e profesionale në vendin tonë. Le të jetojmë të gjithë në errësirë, injorancë e lumturi. Mendimi kritik e i pavarur është krejtësisht i panevojshëm kur ekziston mendimi i Qeverisë dhe Kryeministrit për gjithçka”.
Shkrimin e saj, deputetja Deliu-Kodra e mbyll me: “Jo-sinqerisht, Blerta. P.S. Larg duart nga mediat. Me Klan Kosovën!”.
