Deputetit të LVV-së i hakohet llogaria në Facebook, i kërkojnë para për t’ia rikthyer

Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Jahja Kokaj, i është hakuar llogaria e tij zyrtare në Facebook.

Policia e ka konfirmuar rastin duke thënë se janë njoftuar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:30, për veprën që ata e cilësojnë si “Hyrje në sistemin kompjuterik”.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se personat të cilët ia kanë hakuar llogarinë i kanë kërkuar një shumë parash për t’ia rikthyer atë.

“Rr. Ismail Koci, Gjakovë 24.06.2022-20:30 Ankuesi mashkull  kosovar  ka raportuar se person-a të dyshuar të pa njohur i kanë bllokuar llogarinë e tij në rrjetet sociale si dhe kanë kërkuar nga ai një shumë parash”, thuhet në njoftim.

Edhe i biri i deputetit, Jahja Kokaj, Agon Kokaj përmes rrjetit të tij social në Facebook u bëri apel qytetarëve se llogaria e babait të tij është hakuar nga dikush.

“Zonja dhe zotërinj, dua t’ju njoftoj se Dr. Jahja Kokaj, llogaria e tij në Facebook është hakuar nga dikush, prandaj nëse merrni ndonjë mesazh nuk janë të tij”, ka shkruar ai.

Ndryshe, sipas raportit të policisë, deri më tani nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa rasti vijon në hetime. 

Go to TOP