Deputeti shqiptar godet regjimin e Vuçiqit pasi u publikua Raporti i Komisionit Europian

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, vlerëson se Raporti i Komisionit Evropian për Serbinë dëshmon se pushteti aktual i presidentit serb, Aleksander Vuçiq, mbetet faktor destabilizues për Ballkanin Perëndimor.

“Raporti i sapo publikuar i Progresit i Komisionit Evropian për Serbinë dhe rajonin dëshmon se pushteti aktual i Presidentit Aleksandër Vuçiq nuk ka vullnet politik në njërën anë për demokratizim dhe evropianizim të vendit, e në anën tjetër mbetet faktor destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Kamberi mes tjerash ka përmendur edhe shkeljet e vazhdueshme që bën Serbia në shumë aspekte.

“Që nga shkeljet në të drejtat fundamentale të njeriut, trajtimit të drejtave të pakicave kombëtare, pasivizimit të adresave, gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët e lartë, mungesën e demokracisë gjithëpërfshirëse, lirinë e shprehjes dhe përfshirjen e shqiptarëve në institucione, e deri te gjendja jostabile në Veriun e Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të zi; me Serbinë si vektor destabiliteti të tyre, flasin më së miri për pushtetin e sotëm në Beograd”.

Mes tjerash Kamberi e ka quajtur veprim inkurajues harmonizimin e politikave rreth Ballkanit Perëndimor midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

“Në anën tjetër, veprim inkurajues është harmonizimi i politikave rreth Ballkanit Perëndimor midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të shprehur sot përmes kumtesës së përbashkët të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell” ka shkruar Kamberi në rrjetin social në Facebook.

Go to TOP