Bajrami kërkon anulimin e testit të maturës: Ka humbur besueshmërinë, favorizon kopjimin

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar anulimin e testit të maturës duke e cilësuar procesin si të dështuar dhe të padrejtë për nxënësit që mësojnë me përkushtim.

Sipas saj, për gjashtë vjet me radhë po përsëritet i njëjti problem, publikimi i testit menjëherë pasi fillon provimi, gjë që sipas saj po e shndërron maturën në një proces që favorizon kopjimin në vend të dijes.

“Testi i maturës nuk po e shpërblen dijen, por po e favorizon kopjimin. Sot, fatkeqësisht, më të suksesshëm nuk dalin ata që kanë mësuar më shumë, por ata që kanë arritur të kopjojnë më shumë”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo vlerësoi se kjo situatë paraqet padrejtësi ndaj mijëra nxënësve të cilët kanë punuar me vite për të arritur rezultate të mira duke theksuar se problemi ndikon edhe në procesin e regjistrimit në fakultete.

Bajrami tha se testi i maturës e ka humbur besueshmërinë dhe se duhet të zëvendësohet me një sistem vlerësimi që bazohet në suksesin e arritur gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm.

“Arsimi nuk mund të ndërtohet mbi kopjim. Minister, dil dhe merr përgjegjësi”, ka përfunduar ajo. /Kosova.info/

Go to TOP