Delegati Apostolik, Imzot Luigi Bianco, viziton Caritas Kosova: “Puna juaj është në zemër të misionit të Kishës”

Caritas Kosova u nderua sot nga vizita zyrtare e Shkëlqesisë së Tij, Delegatit Apostolik në Kosovë, Imzot Luigi Bianco, i shoqëruar nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë takimit, Don Viktor Sopi, Drejtor i Përgjithshëm i Caritas Kosova, theksoi rëndësinë e kësaj vizite duke e cilësuar atë si një mbështetje shpirtërore dhe inkurajim për punën e përditshme të Caritas-it. Ai prezantoi para Delegatit Apostolik misionin, aktivitetet dhe sfidat e shumta që Caritas Kosova ka kapërcyer për të ndërtuar një rrjet gjithëpërfshirës shërbimesh për njerëzit në nevojë.

Nga ana e tij, Imzot Luigi Bianco vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e Caritas-it, duke nënvizuar se puna e kësaj organizate është në qendër të misionit të Kishës: të mbështesë njeriun në nevojë, të shërbejë të varfrit dhe të respektojë çdo qenie njerëzore si fëmijë të Zotit, pa dallime.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, falënderoi Delegatin Apostolik për vizitën dhe theksoi se Caritas dëshmon me shembull konkret se është e mundur të punohet së bashku, pavarësisht dallimeve etnike e fetare.

“Ne i shërbejmë të varfrit, dhe varfëria nuk ka kombësi apo fe. Është inkurajuese të shihet se stafi i Caritas-it pasqyron larminë e shoqërisë sonë dhe dëshmon se dashuria për njëri-tjetrin është ura që na bashkon”, u shpreh ai.

Vizita e Imzot Luigi Bianco në Caritas Kosova u cilësua si një bekim dhe inkurajim për vazhdimin e misionit humanitar dhe shpirtëror të kësaj organizate./ Kosova Info

Go to TOP