Delegacioni i AKB-së në Kinë me ftesë të autoriteteve ekonomike: Nënshkruhen marrëveshje për bashkëpunim dhe investime rajonale

Me ftesë zyrtare nga autoritetet e larta ekonomike të Republikës Popullore të Kinës, një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), i udhëhequr nga Kryetari Agim Shahini, po qëndron për vizitë zyrtare në Kinë, raporton Kosova.info.

Gjatë qëndrimit në këtë shtet me zhvillim të fuqishëm ekonomik, delegacioni i AKB-së vizitoi disa prej fabrikave dhe bizneseve më të suksesshme kineze, ku u zhvilluan takime me përfaqësues të lartë institucionalë dhe ekonomikë.

Në kuadër të vizitës janë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet kompanive kineze dhe partnerëve nga Ballkani Perëndimor, me fokus në investime, transferim të teknologjisë dhe zgjerim të bashkëpunimit ekonomik në rajon.

Këto marrëveshje u nënshkruan në praninë e delegacionit të AKB-së, duke theksuar rëndësinë që Kina i kushton forcimit të lidhjeve ekonomike me rajonin tonë.

Së shpejti, pritet të formalizohet edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe institucioneve ekonomike kineze, e cila synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e investimeve kineze në Kosovë dhe mbështetjen për bizneset kosovare që synojnë tregun kinez.

Delegacioni i AKB-së përbëhej edhe nga afaristët Shkëlzen Jusaj, Feriz Imeri dhe Miftar Kastrati, të cilët shprehën interes për krijimin e urave të reja bashkëpunimi ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre kineze./Kosova.info/


Go to TOP