Deklarata e Radoiçiqit në Kosovë ngjall reagime, cilësohet si rrezik për sigurinë dhe paqen në vend

Deklarata e kreut të grupit kriminal serb, njëherësh nënkryetar i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili të martën përmes një video mesazhi ishte paraqitur me tone kërcënuese ndaj serbëve të Kosovës ka ngjallur reagime edhe të njohësve të fushës së politikës dhe sigurisë, të cilin mesazh e kanë cilësuar si “rrezik i vërtetë për sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe më gjerë”.

Politologu Agon Maliqi përmes një postimi në Twitter ka shkruar se kjo është një lëvizje përshkallëzuese nga Beogradi.

Sipas tij, Policia e Kosovës pas këtij video mesazhi menjëherë duhet të veprojë.

“Lideri kryesor i krimit të organizuar në veri të Kosovës – i përfshirë në listën e zezë nga 🇺🇸 dhe i kërkuar si i dyshuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviq – publikoi një video në një tabloid pro regjimit në Serbi duke thënë se ai ka hyrë në Kosovë. Një lëvizje përshkallëzuese nga Beogradi që fton/guxon Policinë e Kosovës të veprojë”, ka thënë ai.

E, profesori universitar, Arben Hajrullahu në një postim në Twitter ka shkruar se Serbia vazhdon të mbështesë krimin e organizuar, të cilat janë rrezik për sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe më gjerë.

“Shteti i Serbisë vazhdon të mirëpresë dhe të mbështesë aktivitetet akterët kryesorë të krimit të organizuar, të cilët janë një rrezik i vërtetë për sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe më gjerë”, ka shkruar Hajrullahu.

Ndërsa, analisti i sigurisë Agim Musliu tha se adresimi i Radoiçiqit është bërë me miratimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se në mediat e Beogradit, paraqitjen vizuele të Radoiçiqit po e quajnë të ngjashme me atë të Arkanit.

Ndryshe, Radojçiq që është i sanksionuar nga Thesari amerikan (OFAC), pretendon se këtë video e ka incizuar në Kosovë shihet duke kërcënuar qytetarët për t’iu bindur grupeve kriminale.

I kërkuari nga autoritetet e sigurisë së Kosovës, duke parë se ka humbur mbështetjen nga serbët, është munduar që t’i shantazhojë ata, të cilët tashmë e kanë kuptuar se janë shfrytëzuar si instrument politik nga Beogradi.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq, duke pretenduar se po lajmërohet nga Leposaviqi.

Paraqitja e Radojçiqit në mediet e kontrolluara nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit,  si: “Kosovo Online”, “Alo”, “Informer”, të cilat për ditë të tëra kanë terrorizuar opinionin publik në Serbi me tituj lufte për Kosovën, është vazhdimësi e gjuhës kërcënuese të përdorur nga krerët serbë.

Të lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin – Departamenti amerikan i Thesarit sanksionon disa individë edhe biznese në Kosovë

Në fund të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës, në krye të së cilit është Zvonko Veselinoviq.

Sipas Zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja të Departamentit të Thesarit (OFAC), përveç Veselinoviqit në grupin e krimit të organizuar që vepron në veri të Kosovës janë edhe i vëllai Zvonkos, Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Go to TOP