Deklarata e Biden për përfundimin e operacioneve ushtarake, deklarohet NATO

Një deklaratë të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e bëri ditë më parë, flet shumë rreth vendimit për largimin e trupave ushtarake nga Afganistani.

”Ky vendim për Afganistanin nuk ka të bëjë vetëm me Afganistanin. Bëhet fjalë për përfundimin e një epoke të operacioneve të mëdha ushtarake për të ribërë vendet e tjera”.

Të shpëndarë përmes një cicërime në Twitter, Biden me këtë deklaratë solli dilema, nëse të njëjtin fat me tërheqjen e trupave ushtarake amerikane, mund ta pres edhe shtetin e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

Për të marrë një koment lidhur me këtë, Klankosova.tv, ka kontaktuar me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, derisa të njëjtit, iu referuan fjalimit të plotë të Presidentit Joe Biden, të dhënë më 31 gusht të këtij viti.

Në të shihet se deklarata të cilën Presidenti Joe Biden e ndan në Twitter, është pjesë e shkëputur e një fjalimi të tij të gjatë.

”Më lejoni të jem i qartë: Largimi më 31 gusht nuk është për shkak të një afati arbitrar; ishte projektuar për të shpëtuar jetën amerikane”.

”Paraardhësi im, ish-Presidenti, nënshkroi një marrëveshje me talebanët për të hequr trupat amerikane deri më 1 maj, vetëm disa muaj pasi unë u përurova. Ai nuk përfshinte asnjë kërkesë që talebanët të hartonin një marrëveshje qeverisëse bashkëpunuese me qeverinë afgane, por autorizoi lirimin e 5,000 të burgosurve vitin e kaluar, përfshirë disa nga komandantët kryesorë të luftës të talebanëve, midis atyre që sapo morën kontrollin e Afganistanit”, ka thënë Joe Biden.

Tutje sipas shefit të shtetit amerikan, largimi i trupave ushtarake amerikane, ishte e vetmja zgjidhje.

”Marrëveshja e administratës së mëparshme thoshte se nëse i përmbaheshim afatit të 1 majit që ata kishin nënshkruar për t’u larguar, talebanët nuk do të sulmonin asnjë forcë amerikane, por nëse ne qëndronim, të gjitha bastet ishin të pasakta”.

”Kështu na mbeti një vendim i thjeshtë: Ose ndiqni angazhimin e bërë nga administrata e fundit dhe largoheni nga Afganistani, ose thoni që nuk po largohemi dhe angazhohemi me dhjetëra mijëra trupa të tjera që kthehen në luftë”.

”Kjo ishte zgjedhja – zgjedhja e vërtetë – midis largimit ose përshkallëzimit”.

Duke qenë se ShBA është e pranishme ushtarakisht edhe në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it, kontaktuar nga Klankosova.tv, nga zyra për informim e NATO, lanë të kuptojnë se nuk ka ndonjë ndryshim vendimi rreth pranisë së forcave ushtarake amerikane.

Të njëtit i qëndrojnë ende njërës prej pikave të deklaratës së lëshuar nga Samiti i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive Aleate në Bruksel, qershorin e këtij viti.

”Ne mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, përfshirë përmes Forcës së Kosovës të udhëhequr nga NATO (KFOR) e cila kontribuon në një mjedis të sigurt dhe në një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor, dhe përmes përpjekjeve të vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve të organizatave të sigurisë në Kosovë”.

Megjithatë sipas kësaj pike, çdo ndryshim i pozicionit të tyre, mbetet i bazuar në rrethana, por jo nga data kalendarike.

”Çdo ndryshim në pozicionin tonë të forcës në KFOR mbetet i bazuar në rrethana dhe jo i drejtuar nga kalendari”.

Ndërkaq sa i përket veprimit të presidentit amerikan Joe Biden, për largimin e trupave ushtarake amerikane nga Afganistani, ai shprehet i bindur, se ai mbetet njëri nga vendimet më të duhura për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

”Unë ju jap fjalën time: Me gjithë zemrën time, besoj se ky është vendimi i duhur, një vendim i mençur dhe vendimi më i mirë për Amerikën”.

Go to TOP