Dehari: Do të kishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët për votim të fshehtë

Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari përmes një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me procedurat e konstitutivit të institucionit legjislativ.

Dehari thotë se Pika 178 e Aktgjykimit e ka konfirmuar se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstitutive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë.

“Pika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstitutive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstitutive nuk vlejnë mocionet procedurale. Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstitutive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore”, ka shkruar ai.

Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë.

“Refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë, pra refuzim për realizimin e një të drejte, që e garanton Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, shkruhet në postimin e Deharit.

Kujtojmë se vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës është nesër nga ora 11:00. /Kosova.info/


Go to TOP