Deda: Pa marrëveshje politike nuk ka Kryetar Kuvendi – filmat e këqij nuk luhen tri herë
Ish-deputeti Ilir Deda ka reaguar pas dështimit për herë të katërt me radhë në zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit të Kosovës duke theksuar se situata aktuale nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje politike.
Sipas Dedës, në Kosovë është krijuar një praktikë politike që Kryetari i Kuvendit të zgjidhet nga shumica që e formon Qeverinë, dhe pa ndërtimin e kësaj shumice, rezultati i votimeve nuk do të ndryshojë. Ai paralajmëron se pa një marrëveshje ndërmjet subjekteve politike, vendi mund të mbetet edhe për katër muaj të tjerë pa kryeparlamentar.
“Rezultati do të jetë i njëjtë pa një marrëveshje politike,” tha ai duke shtuar se nuk mund të shpiken parime sipas pozitës apo opozitës. Deda theksoi se partitë që në të kaluarën nuk kanë votuar kandidatët për kryetar të Kuvendit nga partitë tjera, nuk kanë asnjë bazë të kërkojnë tani mbështetje pa kushte.
Ai e krahasoi këtë situatë me ngërçet politike të viteve 2014 dhe 2017 duke thënë: “E kemi parë këtë film më herët, ama është film i keq – e filmat e këqij nuk këqyren tri herë.”
Me këtë deklaratë, Deda u bëri thirrje partive politike që të lënë anash qëndrimet e ngurta dhe të hyjnë në dialog për zgjidhjen e krizës institucionale. /Kosova.info/
