Disa fakte me rëndësi për vrasjen e Deharit/ Përmenden disa prapaskena – kush i mori video-incizimet!?

Të enjten, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës u diskutua edhe rreth vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari që ndodhi në qendrën e paraburgimit në Prizren në vitin 2016.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu duke folur për rastin e përmendi disa herë ish-ministren, Dhurata Hoxha.
Ajo u shpreh se zyrtarë të ministrisë i kanë thënë se ka qenë pikërisht ministrja Hoxha atëkohë që kishte urdhëruar marrjen e kamerave të sigurisë para policisë. Pra, incizimet kaluan nën kontroll privat, para se t’i kishte në duar, hetuesia.

Ministrja konfirmoi se rasti Dehari tanimë ka kaluar në duart e Prokurorisë Speciale derisa shtoi se gjithë personat përgjegjës që se kanë kryer punën siç duhet do të hetohen, përfshirë ministren Hoxha.

“…Ndërsa sa i përket epilogut për zbardhjen e rastit Dehari, më lejoni t’ju njoftojë që ky rast aktualisht është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale. Dhe së fundmi, pas disa informacioneve që kemi pranuar si Ministri e Drejtësisë si ministre kam urdhëruar një inspektim në raport me atë se cilat kanë qenë përgjegjësitë e personave përgjegjës atë ditë dhe a janë kryer përgjegjësit e personave përgjegjës në përputhje me legjislacionin dhe me kompetencat”, deklaroi ministrja.

“Pra, gjetja kryesore është që kamerat janë marrë para policisë, kjo është e paprecedente dhe është shkelje penale. Po ashtu kamerat kanë mundur nga zyrtarët përgjegjës të shihen pasi që ato të merren nga policia, por jo të merren sipas informacioneve që unë kam marrë dhe kjo duhet të dëshmohet në prokurori, mirëpo nga zyrtarë të ministres më është thënë që këto janë bërë me urdhër të Dhurata Hoxhës – ish ministres së Drejtësisë”, ka thënë ministrja.

“Personat që janë suspenduar tash nga Komisioni Disiplinor duhet ta thonë këtë para Prokurorisë Speciale pse i kanë marrë kamerat në atë mënyrë të paligjshme dhe kush i ka urdhëruar ata, a është e vërtetë që për këtë ka urdhëruar ministrja e drejtësisë, Dhurata Hoxha. Nëse po, atëherë barra e përgjegjësisë bie tek Dhurata Hoxha”, ka thënë Haxhiu.

Kjo deklaratë e ministres Haxhiu dha detaje të reja në lidhje me rastin ‘Dehari’, duke dëshmuar mundësinë e përfshirjes së më shumë personave, në këtë rast krimi.

Ky ishte një sinjal se ky rast në vazhdimësi po hetohet, dhe kësisoj juristët folën për këtë rast dhe hetimet lidhur me të.

Kelmendi: Vdekja e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit është akti më i rëndë i kapjes së pushtetit nga politika në Kosovë

[Image]
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi
FOTO GALERI
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi vdekjen e Astrit Deharit e cilësoi si një nga më të rëndët.

Ai tha se kjo ngjarje kërkon hetime të thella, dhe duhet të merren masa juridike në lidhje me rastin dhe në rast të shkeljeve të dënohen udhëheqësit e keqpërdorimit të pozitës së shtetit.

“Vdekja e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit është shkelja më e rëndë e shtetit ligjor dhe të së drejtës demokratike nga vetë pushteti.

Pikërisht, pse është kështu, është e domosdoshme që nga drejtësia në Kosovë të pasqyrohet në tërësi vdekja e të ndjerit Astritit, dhe nëse “konstatohen” (shih: kjo është ngjarje që kërkon përgjegjësi) shkelje apo akte kriminale kërkohet të merren masa të rënda penale.

Nga raporti i bërë nga ekspertiza e mjekëve ligjor në Zvicër kanë dalur elemente të dhunës së aplikuar mbi Astritin në burg.

Vetë ky fakt e obligon drejtësinë e Kosovës të ndërmarrë hapa juridik mbi atë konstatim dhe të hapë procedurën mbi rastin dhe të merr në përgjegjësi përgjegjësit dhe udhëheqësit e keqpërdorimit të pozitës së shtetit me krim”, deklaroi juristi.

Sa i përket marrjes së kamerave para se të shkonte policia në vend të ngjarjes, Kelmendi u shpreh se kjo nuk mund të bëhet pa ndonjë urdhër nga lartë,

Ai tha se çdo kush, pavarësisht pozitës, kërkohet të përgjigjet, nga krimi nuk mund të iki askush.

“Në kohën e ngjarjes së rëndë kriminale, Dhurata Hoxha ishte Ministre në MD të Republikës së Kosovës.

Nga vendi i ngjarjes janë marrë kamerat -incizuese para se të vinte policia.

Kështu ndodh vetëm me urdhër nga lart, përkatësisht nga Ministri/a ose Kryeministri, Presidenti a ndonjë subjekt fizik i lartë në postet e shtetit.

Kjo kërkohet të verifikohet dhe përgjegjësit, jo vetëm ish Ministria e Drejtësisë, por edhe të tjerët, në Qeveri, duhet domosdo të dalin para gjykatës dhe vetëm gjykata konstaton gjendjen reale.

Çdo kush, pavarësisht pozitës, kërkohet të përgjigjet. Nga krimi nuk mund të iki askush.

Është e pafalshme për Republikën e Kosovës që mos të pasqyron qartë vdekjen e Astriti”, theksoi ai.

Në fund, juristi radhiti disa fakte të rëndësishme sa i përket vdekjes së Astrit Deharit dhe procesit gjyqësor për këtë çështje.

“Disa fakte janë me rëndësi.

  1. Familja Dehari donte drejtësi për djalin e vetë, Astrit Deharin, të cilin ku më sigurt se në burg, i ruajtur nga pushteti, i vdiq në rrethana shumë të dyshimta.
  2. Vetë shteti ligjor kërkon pasqyrim të tërësishëm të vdekjes së Astritit në burg. Asgjë nuk duhet lënë anash.
  3. Vdekja në burg tregon se burgu në Kosovë nuk është vendi ku vihet dënimi dhe ruhet i dënuari, por është vendi i qërimit të hesapeve nga politika.
  4. Pasqyrimi i rastit ka ndikim pozitiv edhe në raportet ndërkombëtare dhe integruese të Republikës së Kosovës. Këto janë fakte që tregojnë domosdoshmërinë e zbardhjes së rastit dhe të kapjes e të dënimit të kompetentëve. Republikës i duhet kjo”, përmbylli Muhamet Kelmendi.

Juristi Blerim Burjani rastin ‘Dehari’ e cilësoi si një çështje tragjike.

Ai nuk i përfilli akuzat, derisa tha se rëndësi kanë faktet dhe provat që siguron prokuroria.

“Kjo çështje është e organeve të rendit, akuzat e ndërsjella s’kanë rëndësi pa fakte dhe prova që siguron prokuroria, kjo çështje po është tragjike dhe e politizuar që deri më tash nuk ka pas zgjidhje”, deklaroi juristi.

Sipas tij, ky rast sa më larg të shkojë e të vonohet, aq më problematik do bëhet.

“Pra, është çështje dhe ndërgjegje e organeve të rendit, pra kjo çështje sa më larg që të shkojë aq më problematike do të jetë të sqarohet”, tha ndër të tjera Burjani.

Go to TOP