Peci u lavdua për ligjshmërinë në MPJD, por deputetja e PDK-së ia kujton shkeljet e shumta
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu- Shoshi i ka reaguar njërit prej kryetarëve të ‘kontestuar’ të Guxo, njëherësh ministër i Bujqësisë, Faton Peci pas deklaratave të tij se e kanë kthyer ligjshmërinë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ajo tha se ministri Peci po e gënjen opinionin publik.
“Ai po thotë se konsujt paskan qenë të zgjedhur nëpër oda, por askush nuk krahasohet me skandalet e Prindon Sadriut dhe Martin Berishës. Peci po thotë që u kthye ligjshmëria në MPJD, por këtij institucioni po ia nxjerr në pah paligjshmërinë çdo ditë Këshilli i Pavarur për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil të Kosovës dhe bazuar në vizitën e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, që është zhvilluar javën e kaluar, na është konfirmuar shkelja flagrante e ligjit dhe përtej kësaj edhe shkelja flagrante e të drejtave të njeriut.”, ka shkruar ajo.
Ajo ia ka kujtuar ministrit Peci se MPJD-ja është detyruar ta anuloi edhe konkursin për 32 diplomatë, që e kishin përgatitur për militantët e tyre partiakë.
Musliu-Shoshi tha se përndjekja politike dhe aplikimi i standardeve të dyfishta nga kabineti i Donika Gërvallës është në rend të ditës.
“Vazhdime të mandateve kemi me dhjetëra raste. Kemi me dhjetëra e dhjetëra pozita vakante nëpër misionet tona diplomatike dhe konsullore. Dhe më e rënda, kemi shkatërrim të imazhit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. MPJD është sinonim i skandalit dhe i dështimit. Faktet flasin një gjuhë tjetër!”, ka shkruar deputetja Musliu-Shoshi.

