Darka e Sveçlës me policë në Bërnjak, kërcënimi i Listës Serbe, shtohen barrikadat – Çka ndodhi dje?
Sot janë bërë nëntë ditë prej kur Veriu i Kosovës është i barrikaduar. Dje ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, njoftoi se ka ngrënë darkë me zyrtarët policorë që po qëndrojnë në Bërnjak. Mirëpo, këtë vizitë të Sveçlës, Lista Serbe e ka quajtur provokim.
Sot po hyjmë në ditën e nëntë prej kur veriu është i barrikadur për shkak të revoltës së serbëve lokalë ndaj arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.
Dje, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se ka darkuar me zyrtarët policorë në Bërnjak.
“Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Ministri i Brendshëm po ashtu bëri të ditur se Kosova “ka kapacitete për t’i larguar barrikadat”, pa harruar t’i përmendë partnerët ndërkombëtarë.
“Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat.”
Por kjo vizitë e Sveçlës në Veri nuk i ka pëlqyer Listës Serbe.
Kjo parti në një njoftim, ka thënë se shkuarja e Sveçlës në Veri është “provokim tjetër i Albin Kurtit me qëllim përshkallëzimin e situatës në terren”.
“Ai e di shumë mirë se nuk ka ardhur në komunat serbe në veri të Kosovës dhe as s’ka çfarë të kërkojë në rajonet tona. Theksojmë se populli serb është i përkushtuar për paqen në këto zona dhe deklaratat e Sveçlës se është i gatshëm të vazhdojë të përdorë dhunën dhe të heqë barrikadat me dhunë janë në favor të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës”, thotë kjo parti, raporton Kossev.
Ndërkaq, dje Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë natës është vendosur një barrikadë e re në veri, saktësisht në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë dhe se dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.
“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit. Policia e Kosovës, sipas mandatit të ssaj ligjor e kushtetues po angazhohet në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit”, ka njoftuar Policia.
